Prokuroria e Gjakovës ka dhënë detaje në lidhje me dhunimin e dy vajzave të mitura në Gjakovë, në dy raste të ndara.
Për dy të dyshuarit, që i përkasin moshës madhore, Prokurori i rastit ka kërkuar paraburgim.
Siç bën të ditur Prokuroria, në njërin rast, i pandehuri me përdorim të forcës, në veturën e tij, fillon ta prek dhe ta puthë të dëmtuarën e më pas kryen marrëdhënie seksuale me të, pa pëlqimin e saj.
Në rastin tjetër, Prokuroria përshkruan se ngjarja ka ndodhur në një motel, pasi që i dyshuari dhe viktima ishin njoftuar paraprakisht dhe kishin krijuar lidhje dashurie.
Komunikata e Prokurorisë për të dy rastet:
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit E.N., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 nën paragrafin 4.2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Prokuroria njofton se, më 04 tetor 2022 në Gjakovë, i pandehuri E.N., me përdorim të forcës e detyron personin tjetër të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj, të dëmtuarën e cila është e mitur.
Pasi që paraprakisht kishin biseduar përmes rrjeteve sociale, takohen, dhe i pandehuri me automjetin e tij e merr të dëmtuarën dhe e dërgon tek një parking, fillon ta prek dhe ta puthë, e më pas e godet me shuplakë dhe me përdorim të forcës e pa pëlqimin e saj kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, derisa e njëjta arrin që të del nga automjeti dhe të paraqet rastin në polici.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 04 tetor 2022.
Rasti 2:
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit M.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Prokuroria njofton se, më 04 tetor 2022, në Gjakovë, i pandehuri kryen akt seksual me personin tjetër pa pëlqimin e saj, me të dëmtuarën e cila është e mitur. I pandehuri kishte krijuar lidhje dashurie me të dëmtuarën dhe pasi që kontaktojnë dhe takohen, shkojnë në një motel, ku i pandehuri kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën e mitur, dhe më pas paraqitet rasti në polici.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 04 tetor 2022.