Ministrja Hoxha ka një porosi për ata që janë përjashtuar nga PDK-ja.
Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Dhurata Hoxha, i ka dhënë përkrahje Kadri Veselit, i cili vendosi t’i largojë nga partia e qeveria njerëzit me aktakuza.
Hoxha ka thënë se njerëzit me akuza s’kanë vend në institucione dhe as në parti.
Ajo ka kërkuar që në poste publike të jenë njerëz të pastër nga aktakuzat.
“Kryetari Veseli e ka potencuar qe kërkesa e pastërtisë apo që ta luftojmë krimin dhe korrupsionin dhe personat në poste publike të jenë persona të pastër pa aktakuza, është diçka që do ta kërkojë edhe nga partitë e tjera”, ka thënë Dhutata Hoxha, për Ekonomia Online.
Si pasojë e vendimit, Besim Beqaj, Agim Çeku dhe Njazi Kryeziu kanë shkuar në shtëpi duke lënë pozitat qeveritare.
Po ashtu, Veseli ka përjashtuar nga organet partiake edhe Adem Grabovin, Sami Lushtakun, Qemajl Mustafën, Sokol Bashotën etj.
Dhurata Hoxha ka tentuar të mbajë edhe një ligjëratë morale jo vetëm për zyrtarët e PDK’së me aktakuza por edhe për partitë tjera.
“Personat që janë në poste publike dhe i shërbejnë qytetarëve duhet të jenë shumë më të përgjegjshëm dhe kryetari Veseli ka dashur dhe nuk do të ndalet, këtë e ka bërë edhe në parti, jo vetëm në postet publike, gjegjësisht ministrat dhe zëvendësministrat”,
Përpos Grabovit nga Partia janë përjashtuar edhe disa prej figurave tjera si Zenun Pajaziti, Xhemajl Mustafa, Sokol Bashota, Agim Çeku etj. Madje, Besim Beqaj u shkarkua edhe nga pozita e Ministrit të Inovacionit.
Më së ashpëri ndaj këtij vendimi ka reaguar Sami Lushtaku, i cili nuk e ka pranuar një vendim të tillë të Kadri Veselit. Ka thënë se s’ka birë nane që e largon nga PDK’ja. Madje, ka lëshuar akuza se 4-5 persona të PDK’së kontrollojnë gjithçka në Kosovë përfshirë drejtësinë ndërsa ka kërkuar largimin e tyre.
Adem Grabovci humbi fillimisht pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar. Pastaj u shkarkua edhe nga pozita e Nënkryetarit. Nuk e lejuan të kandidonte as për deputet. Tash, e larguan edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i PDK’së.
Të shtunën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkoi në shtëpinë e Adem Grabovcit, i përjashtuar nga organet udhëheqëse të PDK’së.
Madje, disa ditë pasi Grabovci u përjashtua, ish-Kryetari i PDK’së nderoi me medalje një familjar të Grabovcit i vrarë në luftë.
Në gjithë këtë situarë, Kadri Veseli po vazhdon të mos e thotë asnjë fjalë. Disa prej të larguarve kanë kërcënuar Veselin se do t’i bëjnë publike të gjitha krimet që kanë ndodhur nga zyrtarët e PDK’së e që po vazhdojnë të mos dalin në publik.