Dialogu dhe taksa, përplasje e ashpër mes LDK dhe Nismës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Dialogu dhe taksa, përplasje e ashpër mes LDK dhe Nismës

22:33 | 27 Dhjetor 2018

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma kanë pasur një përlasje për dialogun dhe taksën.

Mjaftoi një postim i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, tani pjesë e NISMA-s, për LDK-në dhe qëndrimet e këtyre të fundit për taksën në mënyrë që të fillojë përplasja mes këtyre dy subjekteve.

Më herët gjatë ditës, Krasniqi shkruante në Facebook se sipas tij qëndrimet e LDK-së për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës janë në një vijë me ato të presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

“Është për t’i kuptuar disi reagimet e kushtëzimet që zyrtarët më të lartë serbë në Beograd të cilët vazhdimin e dialogut e lidhin me taksën 100%, por si t’i kuptojmë përfaqësuesit e një partie politike ”shtet-formuese” (LDK-së) dhe kryetarit të vendit që janë në një vijë politike me Vuçiqin e Bernabiqin?! Të cilët e kushtëzojnë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës 100%?”, shkruante Krasniqi në Facebook.

Në të njëjtin postim, Krasniqi u bëri thirrje LDK-së, që procesit të dialogut t’i bashkohen pa kushtëzime, dhe se sipas tij është e rëndësishme që dialogu në Bruksel të vazhdojë dhe Kosova e Serbia të arrijnë një marrëveshje.

Ndaj këtyre qëndrimeve ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media.

Madje sipas LDK-së, Jakup Krasniqi me këto reagime po tregon se e ka humbur rrugën.

“Krasniqi e paska humbur rrugën, sepse LDK në asnjë rast nuk e ka vënë dialogun në relacion me taksën. LDK është deklaruar se dialogu duhet të ndërpritet dhe të kushtëzohet me ndërprerjen e fushatës së ndyrë serbe ndaj Kosovës. LDK, poashtu, është shprehur se dialogun duhet ta zhvillojë një qeveri që përfaqëson shumicën meritore në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe jo Qeveria e pakicës. Pra, LDK po insiston për legjitimitet para dialogut”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas këtij subjekti, NISMA-s i është ngutur ta drejtojë dialogun, dhe këtë po tentojnë që ta fshehin duke e sulmuar LDK-në.

“Partisë së z. Krasniqi i është ngutur ta drejtojë dialogun, andaj tentojnë që këtë veprim të pa menduar mirë – dhe sipas nesh të gabuar – të mundohen ta fshehin duke e sulmuar pa asnjë bazë LDK-në”, thuhet në reagimin e këtij subjekti.

“Sa i përket Presidentit Thaçi, ai ka qenë kryetar shumëvjeçar i z. Krasniqi dhe i z. Limaj. Edhe tani po i shkojnë pas në dialog. Nuk po i shkon LDK-ja, as me taksë, e as pa taksë”, thuhet më tutje aty.

Kujtojmë, se LDK-ja tash e disa kohë po refuzon t’i bashkohet ekipit negociator.

Kjo parti madje as nuk e ka votuar rezolutën e PSD-së e cila e mandatoi këtë përbërje.

Ndërkaq, nga partia e Shpend Ahmetit i kanë bërë thirrje LDK-së që t’i bashkohen këtij procesi.

Komento: