Kryeministri i Kosovës po qëndron ende pas vendimit të tij për tarifën.
Çështja e zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë sipas njohësve të politikave ndërkombëtare është në një pozitë shumë të vështirë.
Që nga vënia e taksës nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake, dialogu Kosovë – Serbi është në ngërç, shkruan lajmi.net.
Edhe pas thirrjeve të Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës po qëndron ende pas vendimit të tij për tarifën 100 për qindëshe.
Shumë nga njohësit e çështjeve këtë ngërç në dialog po e shohin edhe si dështim të Bashkimit Evropian, shkruan lajmi.net.
Madje, mediet në Serbi po flasin edhe për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e zëvendësojnë Brukselin në raport me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Reagimet e ambasadorëve amerikanë tek të dy shtetet, vizitat e zyrtarëve amerikan në Kosovë e Serbi nga mediet serbe janë parë si një zëvendësim që Uashingtoni ia ka bërë Brukselit.
Por çfarë mendojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë në lidhje me këtë?
Lajmi.net ka diskutuar me njohësin e çështjeve politike globale dhe filozofin Ridvan Emini dhe njohësin e e politikave të jashtme Avni Mazrekun në lidhje me këtë çështje.
Emini për lajmi.net është shprehur se zhvillimet e reja të cilat kanë ndodhur në kohën e fundit në dialogun Kosovë – Serbi kanë marrë kahje të re.
Ai gjithashtu ka potencuar se Brukseli ka dështuar edhe pas organizimeve të njëpasnjëshme të takimeve teknike e politike midis Kosovës dhe Serbisë.
“Zhvillimet e reja të cilat janë duke ndodhur kohën e fundit rreth dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes të dyja shteteve duket se kanë marrë kahje të re. Brukseli tash e disa vite ka organizuar takime teknike e politike për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, por nuk ka pasur thuajse asnjë sukses të vetëm në këtë drejtim, apo fare pak”, është shprehur Emini.
Sipas Eminit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se kanë për qëllim të bëjnë atë që nuk ka arritur të bëjë Bashkimi Evropian dhe njëkohësisht t’ia bëjë me dije BE-së se kush është garantues i paqes në rajon.
“Andaj, si rezultat i kësaj situate, angazhimi i SHBA-ve në këtë çështje duket se ka për qëllim që ta bëjë atë që nuk e ka bërë Brukseli, pra arritjen e ujdisë mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, konsideroj se SHBA me këtë dëshiron t’i tregoj Bashkimit Evropian se ajo (SHBA) vazhdon të jetë garantuesja e paqes edhe në kontinentin e vjetër të Evropës”, tha Emini për lajmi.net.
Gjithashtu, Emini ka cekur disa detaje historike në të cilat sipas tij shihet mos-efikasiteti i Evropës në zgjidhjen e problemeve.
“Nëse i rikthehemi historisë më të re të Ballkanit që nga vitet e’90-ta e këndej, shohim se Evropa në asnjë rast të vetëm nuk ka arritur të bëjë zgjidhjen e ndonjë mos-marrëveshje. SHBA, në nëntorin e vitit 1995 kishte arritur të ndalë luftërat disa vjeçare në Ish-Jugosllavi. Gjithashtu, SHBA ishte ajo e cila mori për sipër intervenimin e NATO-s mbi Serbinë (ish Jugosllavinë e mbetur) për të ndal gjenocidin dhe spastrimin të cilin e zhvillonte ndaj popullatës në Kosovë”, tha Emini më tutje.
Ndërsa krejt në fund, Emini është shprehur se angazhimi i SHBA-ve në këtë fazë është i domosdoshëm.
“Konsideroj se angazhimi shtesë i SHBA-ve në dialogun Kosovë- Serbi në këtë fazë është i domosdoshëm, sepse vetëm me garancionin e tyre mund të arrihet një paqe stabile. Andaj mund të themi se është momentum i duhur që Uashingtoni ta zëvendësoj Brukselin zyrtar në këtë dialog”, tha në fund Emini.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të politikës së jashtme dhe politikave të Bashkimit Evropian, Avni Mazreku është shprehur se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka pasur kapacitete për zgjidhjen e problemeve.
“Jo, unë nuk mendoj që SHBA-të janë duke e zëvendësuar Bashkimin Europian edhe sa i përket ndikimit të tyre në Ballkan, edhe në Kosovë, kjo për arsye se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka pasë kapacitete në fushën e politikës së jashtme e as në fushën e sigurisë që të mirret me zgjidhjen e problemeve të pambyllura”, tha Mazreku
Gjithashtu edhe Mazreku është kthyer mbrapa në histori duke potencuar disa nga momentet ku Bashkimi Evropian sipas tij në mungesë të kapaciteteve për të zhvilluar politika të jashtme dhe të sigurisë ka dështuar të zgjidhë problemet.
“Kjo fillon që nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kur Bashkimi Evropian nuk ka pasur asnjë kapacitet ushtarak dhe të fushës së politikës së jashtme dhe rrjedhimisht duke mos e pasur mundësinë që të materializojë një politikë të jashtme në raport me problemet e Ballkanit, BE në atë kohë e pati aprovuar të themi këtë traktatin e Mastritit që ka dhanë mundësi që BE me pasë funksion të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Por sipas këtij traktari edhe pse krijohet një politikë e jashtme dhe e sigurisë nga BE ata nuk krijojnë asnjë mekanizëm përcjellës që të përcillen këto politika. Kjo tentohet të përmirësohet me traktatin e Amsterdamit në vitin 1997 përkatësisht 1999 që hyn në fuqi por nuk ishte ndonjë arritje shumë e madhe sepse krejt çka bëhet në këtë traktat është krijimi i postit të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Përbashkët, të Jashtme dhe të Sigurisë që momentalisht e mbanë Mogherini”, ka potencuar Mazreku.
Ai, madje edhe sot e sheh rolin e SHBA-ve të tillë siç ishte historikisht, pra si rezultat i deficitit të kapaciteteve të Bashkimit Europian në zgjidhjen e problemeve.
“Dhe vet shtetet anëtare të Bashkimit Europian as në traktatin e Lisbonës, në traktatin e vitit 2009 nuk e dorëzojnë sovranitetin e tyre në mekanizma super-nacional që në këtë rast janë shtylla e dytë e BE-së dhe në këtë rast BE-ja nuk ka kapacitet institucional me u marrë me zgjidhjen e problemeve që kanë konotacion të fushës së sigurisë dhe rrjedhimisht roli i SHBA-ve edhe gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë edhe sot ka qenë si rezultat i deficitit të kapaciteteve të Bashkimit Europian për zgjidhjen e problemeve”, tha krejt në fund Mazreku.
Vlen të theksohet fakti se sot Beogradin e ka vizituar edhe nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike dhe nesër ai do të jetë në Kosovë ku do të ketë një takim me krerët e shtetit.