Samiti i Berlinit mbahet të hënën.
Një hap drejt zhbllokimit të dialogut Kosovë-Serbi pritet të bëhet në Berlin, në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Koha Ditore, bazuar në burime të saj, ka raportuar se nga takimi nuk pritet të dalë një zgjidhje e re për dialogun, por vetëm do të përcaktohen kufijtë e asaj se çka mund të arrihet.
Gjithashtu, një qëllim tjetër është mbajtja gjallë e dialogut të dy shteteve, deri në formimin e komisionit të ardhshëm evropian, ndërsa konkluzionet do t’i adresojnë edhe pritjet për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, raporton KTV-ja.
Sipas gazetës, ‘konkluzionet nga takimi pritet të reflektojnë pajtimin se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme dhe t’i kontribuojë stabilitetit rajonal.
Derisa dy pjesëmarrësit e takimit nga Kosova, presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj nuk u janë adresuar medieve, gjatë ditës për takimin dhe pritjet nga kjo ngjarje ka folur zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Lidhur me takimin, për Euroneës-in ka folur edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili është shprehur se nuk pret ndonjë rezultat të madh nga ngjarja, por shpreson që dialogun ta kthejë në rrugë të duhur, pas tensioneve të fundit.
“Nuk na duhet një marrëveshje e shpejtë, por na duhet marrëveshja e duhur dhe për këtë, duhet që të dy palët të përgatiten dhe të flasin me popullin e tyre, për t’u bërë gati të ulen në tavolinë seriozisht. Ndoshta jo këtë herë në Berlin, por shumë shpejt pas kësaj,” ka thënë ambasadori O’Connell.