Dialogu Kosovë – Serbi, Fajon befason me deklaratën për Mogherinin

19:42 | 13 March 2019

Dialogu Kosovë – Serbi vazhdon të jetë temë shumë e diskutuar në vend dhe jo vetëm.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, ka vlerësuar fjalimin e shefes së diplomacisë së BE-së Federica Mogherini në Këshillin e Sigurimit si kërkesë për mbështetjen e kësaj trupe të OKB-së në finalizimin e marrëveshjes Beograd- Prishtinë për shkak të dëshirës për t’i dhënë fund çështjes në mënyrë pozitive.

“Unë kam shumë besim te Federica Mogherini. E di që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të, por për gjithë BE-në. Bëhet fjalë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Fajon.

Ajo vlerësoi se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dëshiron “të mbyllë fundin e mandatit të saj me një histori pozitive”.

“Nuk është vetëm për shkak se kjo çështje gjendet lart në agjendën e Komisionit Evropian dhe vetë Federica Mogherinit, por për njerëzit që të jetojnë normalisht në të dy anët,” tha Fajon.

Ajo përsëriti se Parlamenti Evropian ka kërkuar në mënyrë të përsëritur një vazhdim të shpejtë të dialogut, që është në interes të të gjithëve.

Ndryshe, Mogherini tha dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Prishtina zyrtare duhet të heqë taksat për vazhdimin e dialogut dhe porositi se marrëveshja përfundimtare të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu të marrë edhe mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Komento: