
Miroslav Lajçak para 4 vjetëve mori përsipër dialogun Kosovë – Serbi, me synimin për t’i zgjidhur problemet mes të dyja vendeve.
Rreth kate viteve pas emërimit, misioni i tij po vlerësohet si jo i suksesshëm, derisa njohës të politikës ndërkombëtare kanë lënë fajtorë edhe dy udhëheqësit e vendeve, Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiqin.
Ymeri: Albin Kurti ia ka minuar pozicionin e ndërmjetësuesit Lajçakut
Ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri ka thënë se nëse gjykohet nga perspektiva e progresit në dialog, atëherë mund të thuhet se suksesi i Lajçak ka qenë i pjesshëm.
“Nëse e gjykojmë punën e tij nga perspektiva e progresit në dialog, atëherë mund të themi që ka qenë sukses i pjesshëm. Në njërën anë procesi i dialogut e ka prodhuar një marrëveshje e cila mëton t’u jep zgjidhje një pjese të konsiderueshme të pengesave drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të konsiderohet si sukses”, tha Ymeri për Front Online.
Ymeri thotë se Kurti ia ka minuar fuqinë diplomatit sllovak.
“Kryeministrin Kurti mendoj që ia ka minuar pozicionin e ndërmjetësuesit Lajçak. Nëse ka pasur elemente në të cilat Lajçak ka anuar më shumë kah pala serbe se sa ajo kosovare, për të cilën është akuzuar vazhdimisht nga qeveria e Kosovës, atëherë ky është dështim i Lajçak në pozitën e tij si ndërmjetësues”, potencoi Ymeri.
Sipas tij, Lajçak ka gëzuar mbështetje të pakufizuar përgjatë mandatit të tij nga vendet anëtare të BE-së (përfshirë aleatin më të fuqishëm Gjermaninë) si dhe nga ShBA po ashtu një aleat shumë i fuqishëm i Kosovës, gjë që sipas tij mund të konsiderohet sukses.
Haliti i PDK-së: Kurti dhe Vuçiq disa herë kanë shkelur “vijat e kuqe”
Anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend thonë për Front Online se Lajçak është përpjekur maksimalisht ta kryejë detyrën të cilën ia ka ngarkuar BE.
Sipas anëtarit të këtij komisioni, deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, detyra e tij s’ka qenë e lehtë për tu përfunduar me sukses gjatë mandatit të tij.
“Misioni i tij ka qenë shumë i vështirë, posaçërisht kur kemi parasysh qëndrimet e ngurta dhe herë- herë të çuditshme nga akrobacionet politike të të dy kryenegociatorëve të cilët gjatë gjithë procesit kanë bërë veprime dhe kanë mbajtur qëndrime të pa parashikueshme që kanë çuditur jo vetëm ndërmjetësuesit. Kurti e Vuçiq kanë ecë shumë herë nëpër vijnë e kuqe, duke nxjerrë probleme të cilat s`kanë qenë të parapara në marrëveshjet e mëparshme, si p.sh çështja e dinarit”, deklaroi Haliti për Front Online.
Haliti thotë për Front Online se si Kurti ashtu edhe Vuçiqi janë marrë më shumë me çështjet e nacionalizmit sesa me obligimet ndërshtetërore.
“Albini është marrë më shumë me problemin historik të çështjes shqiptare duke krijuar probleme të pa parashikuara nga marrëveshjet paraprake dhe duke u implikuar politikat në Shqipëri, Maqedoni e Luginën e Preshevës, kjo edhe si pasojë e politikave publike shoviniste të bazuara në Memorandumin e dytë të Akademisë së shkencave të Serbisë dhe të Kishës serbe. E cila tingëllon kështu: Atë që Serbia s ka arritur ta fitoj me luftë, duhet ta fitoj në Paqe”, theksoi Haliti.
Kulmi i provokimeve, sipas tij, ishte ngjarja në Banjska dhe përpjekja për të organizuar kryengritje të armatosur të serbëve në Veri të Kosovës .
“Pra Lajçak është përpjekur që të kryej detyrat e ngarkuara nga BE, pa llogaritur që në tryezë i ka dy negociatorë të cilët s’ ishin të gatshëm të zbatonin marrëveshjet. Prandaj edhe ka hasë në vështirësi , pengesa dhe akuza për çështje të ndryshme nga të dyja palët”, u shpreh Haliti.
Kadrijaj e AAK-së: BE ka përdor standarde të dyfishta mes Kosovës dhe Serbisë
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj thotë për Front Online se BE me politikat e veta është marrw me ndërmjetësimin, por shpesh herë ka përdor standarde të dyfishta mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo për shkak të qëllimeve që ta integrojnë Serbinë drejtë BE, Serbia çdo herë që si ka konvenuar dhe është orientuar nga Rusia e Kina, ndërsa Kosova e ka një rrugë drejtë integrimit evropian”, u shpreh Kadriaj.
Kadriaj vlerëson se Kosova është dashur të fokusohet që procesin e dialogut të ketë të arritura, teksa ka akuzuar Qeverinë se është jo transparente.
“Ne kemi kërkuar që në dialog të përfshihen dhe SHBA kanë thënë që fokusi duhet të jetë nga BE dhe në fund nuk janë të kënaqur as me këta të fundit as Lajçakun”, tregoi Kadriaj.
Ish-ambasadorja kosovare në Bruksel: Lajçak ka mundur të punonte më mirë
Mimoza Ahmetaj ka qenë ambasadore e Kosovës në Bruksel.
Lidhur me misionin katër vjeçar të Mirosolav Lajçakut ajo tha se sllovaku ka mundur të jetë akoma më i mirë.
“Çdo herë ekziston mundësia që të ketë më shumë bashkëpunim me institucionet tona dhe që Lajçak të jetë edhe më i mirë”, u shpreh ajo për Front Online.
Avni Arifi: Lajmi i mirë përfundimi i mandatit të Lajçakut në Kosovë, raportet e Kurtit dhe emisarit ‘dashuri dhe urrejtje’
Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi e ka konsideruar si lajm të mirë përfundimin e mandatit në Kosovë të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.
Sipas Arifit, besimi i Lajçakut tek palët është humbur, më shumë tek ajo kosovare.
“Si ndërmjetësues i procesit është lajm i mirë që po shkon sepse e ka humbur besimin te palët e posaçërisht tek pala kosovare. Me vet faktin që palët janë më keq se në fillim të procesit dhe me vet faktin se me ardhjen e tij u zhdukën zërat për një marrëveshje përfundimtare nuk ka ndryshe si të quhet veç dështim”, theksoi Arifi.
Raportët e Kurtit dhe Lajçakut kanë qenë ‘dashuri dhe urrejtje’, sipas Arifit.
Ai vlerson se pas marrëveshjes së Ohrit, Kurti është ndje i tradhtuar nga Lajçaku.
“Raportet e Kurtit me Lajçakun janë dashuri dhe urrejtje. Në fillim përkundër rezervave të partive opozitare ndaj Lajçakut ishte krijuar një raport shumë i afërt i Kurtit dhe Bislimit me të por pas marrëveshjes së Ohrit, Kurti si dukët u ndje i tradhtuar nga Lajçaku dhe besoj u prish “kumbaria” me të”, deklaroi Arifi për Front Online.
Politologu Fidan Ukaj, në anën tjetër, e ka vlerësuar si të dështuar misionin e Lajçak.
“Besimin që e ka marr Lajçak për ta ndihmuar procesin e dialogut ka dështuar, nuk janë normalizuar as nuk kemi pas asnjë dakordim e përafrim të palëve as zotim i marrun nga dy palët. Gjatë katër viteve në vend të normalizimit ka ndodhur sulmi terrorist në veri. Lajçak nuk ka qenë i paanshëm por krejtësisht i anshëm në favor të Serbisë. Mandati i Lajçakut ka qenë humbje kohe”, theksoi ai për Front Online.