Dialogu, Lajçak: Nëse nuk ka marrëveshje deri më 2024, duhet ta nisim gjithçka nga e para

10:07 | 30 December 2022

Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, duke folur për procesin e dialogut, ka thënë se niveli i mosbesimit mes dy palëve është më i lartë se kurrë më parë, se tensionet janë ende të larta dhe se është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të përshtatshme për bisedime produktive për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme tani është që të mos lejojmë që situata të rrëshqasë në një krizë të re dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të përshtatshme për bisedime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Lajçak.

Lajçak ka thënë se marsi është afati më i përshtatshëm për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të dy liderët janë të gatshëm të takohen – problemi është rezultati. Dy takimet e fundit ishin të mira për sa i përket atmosferës, por vizionet e dy liderëve nuk u përputhën. Nga këto takime ka gjithmonë pritshmëri të mëdha,” tha Lajçak.

Emisari evropian thekson se cikli i përsëritur i krizave të ndjekura nga zgjidhje të përkohshme i detyron negociatorët të angazhohen në “shuarjen e zjarreve, sepse nuk mund të përqendroheni te normalizimi kur ka krizë.”

“Shpresoj se nuk do të përballemi me një krizë tjetër brenda një jave – ose mund të harrojmë normalizimin”, tha ai.

Lajçak këmbëngul se momentumi aktual është ideale për gjetjen e një zgjidhjeje dhe se nëse humbet ky momentum, marrëveshja mund të zvarritet për dekada. Nëse një marrëveshje nuk arrihet më së largu deri më 2024, Lajçak thotë se do të duhen të kthehen nga e para në këtë proces.

“Tani për tani kemi një strukturë shumë të favorshme, kemi vëmendjen e menaxhmentit të lartë në SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe kemi një shembull të bashkëpunimit BE-SHBA, kështu që kjo është një mundësi reale, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024. Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë nga e para. Nëse i kthehemi krizës dhe konflikteve, atëherë mund të harrojmë afatet”, theksoi Lajçak.

Komento: