Dialogu me Serbinë i bllokuar, deri kur do të mbetët i tillë?

18:22 | 21 Mars 2019

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duket se do të vazhdojë edhe më tej të mbetët i bllokuar.

Përfshirja e Gjermanisë në dialogun e Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve dhe arritjen e një marrëveshje finale, po shihet si diçka jetike. Mirëpo ky dialog vazhdon të mbetet i bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pasi që Serbia e kushtëzon kthimin në tryezën e bisedimeve vetëm në rast se Kosova e largon taksën.

Për të zhbllokuar situatën, në Kosovë e Serbi, kanë ardhur e shkuar, diplomatë të dy prej shteteve më të fuqishme, SHBA-së dhe Gjermanisë, të cilat kanë qëndrime të njëjta për vazhdimin e dialogut dhe pezullimin e taksës, por jo edhe për korrigjimin e kufijve, ide e cila heshturazi ka gjetur edhe përkrahjen e ndërmjetësueses Federica Mogherini.

Ditë më parë në mediat serbe, është raportuar se dy këshilltarët e kancelares Angela Merkel, Jan Hecker and Matthias Lüttenberg, të cilët ishin për vizitë në Kosovë dhe Serbi, kanë kërkuar nga të dy palët, që të mos bëjnë asnjë lëvizje drejt vazhdimit të dialogut deri në muajt maj dhe qershor, kohë kjo që rastis me përfundimin e zgjedhjeve të brendshme në BE, pas të cilave pritet që drejtimin e Brukselit ta marr një diplomat gjerman. Express është interesuar për këtë çështje dhe ka dërguar pyetje në adresë të zyrës për media të kancelares gjermane Angela Merkel.

Në përgjigjen e tyre ata kanë thënë se nuk pranojnë të komentojnë çështje.

“Ne kërkojmë nga ju të na mirëkuptoni se ne nuk komentojmë për takime të mundshme në nivelin e punës së Kancelarisë Federale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithatë ata thonë se Qeveria e kancelares Angela Merkel përkrah fuqishëm përpjekjet e BE-së për të normalizuar raportet Prishtinë-Beograd.

“Në parim, Qeveria Federale, mbështet fuqishëm përpjekjet e BE-së për promovuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, zëdhënësi i zyrës së kancelares Merkel.
Sa i përket marrëveshjes finale, sipas tyre ajo duhet të jetë e zbatueshme politikisht në të dy vendet, dhe t’i kontribuojë stabilitetit të Ballkanit.

“Sipas pikëpamjes së Qeverisë Federale, një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet patjetër të jetë gjithëpërfshirëse, politikisht e zbatueshme në të dy vendet, dhe që kontribuon në stabilitetin rajonal”, përfundon përgjigja e tyre.

Përveç zyrës së Merkelit, është kontaktuar edhe shefi i stafit politik të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, për ta pyetur atë rreth pretendimeve se dy diplomatët gjerman gjatë vizitës në Prishtinë, kishin kërkuar që palët të mos kthehen në dialog të paktën edhe për tre muaj.

Njëjtë sikurse gjermanët, edhe Arifi nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.

“Kanë qenë takime të mbyllura, dhe në parim nuk mund të flasim për gjërat që janë diskutuar brenda”, ka thënë Arifi.

Rreth vonesave të kthimit në dialogun e Prishtinës sot ka folur edhe kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq. Ai ka thënë se këto vonesa mund të krijojnë një situatë të favorshme për eskalime në Ballkan.

Ndërkohë ne bisedë e sipër për Reuters, ai ka paralajmëruar edhe përfshirjen e Gjermanisë, Italisë dhe Francës në dialogun e Brukselit në një të ardhme të afërt, pa dhënë ndonjë shpjegim më të hollësishëm.

Vazhdimin e dialogut të Brukselit e ka kërkuar edhe administrata e Donald Trump, e cila dëshiron të jetë hisedarë në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi që potencialisht do të mund të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe Federica Mogherini është shprehur e gatshme që të rifillojë dialogun, në momentin e parë që Qeveria e Kosovës e heq taksën.

Megjithatë Haradinaj është i vendosur për mbajtjen e taksës, ndërkohë pritet të shihet se çfarë do të ndodh, pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme në Bashkimin Evropian dhe instalimit të një estabilishmenti të ri.

Komento: