Ramush Haradinaj është takuar me kongresistin amerikan Mike Turner.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Munich, në kuadër të Konferencës së Sigurisë, është takuar sot me kongresistin republikan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, duke theksuar se përkrahja e SHBA-ve për Kosovën është jetike dhe e domosdoshme për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
“Me theks të veçantë, Haradinaj kërkoi angazhimin e SHBA-ve në procesin e dialogut me Serbinë, duke thënë se është e domosdoshme arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke”, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimit, Haradinaj e ka njoftuar kongresistin Turner për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përmbushjen e reformës së agjendës evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Më tutje thuhet se Haradinaj gjithashtu shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me SHBA-në, si përkrahësi më i madh i shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.
Kongresisti republikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner, e ka uruar kryeministrin Haradinaj për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë 11 viteve të shtetndërtimit, duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për proceset zhvillimore në Kosovë.