Mosbesimi dhe përçarja po e shoqëron dialogun.
Mosbesimi dhe jo transparenca vazhdojnë ta shoqërojnë procesion e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Derisa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se e ka vështirë t’i besojë Evropës, opozita në Kosovë thotë se nuk mund t’i besohet kryeministrit dhe ekipit të propozuar prej tij, se do të aplikojë qasje ndryshe në negociata me shtetin serb.
Dialogu i Brukselit është në bllokadë për shkak të taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. Me gjithë presionin ndërkombëtar, Haradinaj deri tani ka refuzuar ta pezullojë vendimin, për t’i dhënë shans dialogut. Sipas tij, është vështirë t’i besohet Evropës se nuk do të kërkojë diçka tjetër, edhe nëse hiqet taksa, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Sot po vij këtu nga tri lokacione të masakrave ndër më tragjiket që ka pësuar populli i Kosovës. Me qindra të vrarë e me gjithë këtë situatë jemi ulur në tavolinë. Imagjino sot t’i thoni Kosovës plotëso kushte për të ardhur në tavolinë. Është e habitshme si ka ardhur kjo gjendje. Bëj apel të kthehet tavolina e të zgjidhen temat e hapura me njohje reciproke në kufijtë aktualë, e ku do të kishim tregti të lirë”, ka thënë Haradinaj të martën, pas mbledhjes së Qeverisë. Sipas tij, BE-ja nuk i mbajti fjalët as në çështjen e vizave.
“Qysh t’u besojmë evropianëve që na thanë njëherë dialogun, pastaj taksën, e ku ta dimë çka na thuhet më tutje. Është bërë vështirë t’iu besohet. Mogherini e të tjerët na kanë thënë kryejeni këtë se e keni liberalizimin”, ka theksuar ai.