Rreth gjashtë për qind pritet të bie inflacioni në Kosovë sipas parashikimeve të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. Ai thotë se parashikimet e tyre janë që viti 2023 do të jetë më pozitiv.
Në një intervistë për Ekonomia Online, numri një i BQK-së, ka folur për rritjen e vlerës së remitencave dhe rritjes së ekonomisë, teksa thotë se më shumë se 3 miliardë euro llogaritet të jenë shpenzime të diasporës.
Sipas tij, investimet e huaja direkte kanë shkuar në 567 milionë euro, ndërsa 1 miliard euro janë remitencat.
Mehmeti ka thënë se këtë vit ka pasur rritje të investimeve private e publike, me ç’rast thotë se është ndikuar në shumë faktorë e sidomos ato që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës.
“Kemi rritje të konsumit privat, konsumit publik, rritje të investimeve private e publike. Të gjitha këto janë ndikuar nga shumë faktorë, sidomos masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës ka ndikuar te dy faktorët, po ashtu kreditimi e diaspora janë komponentë kryesorë që ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend. Ky vit, filloi suksesshëm me një rritje që parashikohet të jetë 3 deri në 4 për qind, dhe parashikimet mund të ndërrojnë, duke i pasur parasysh rrethanat që kanë ardh si rezultat i agresionit rus në Ukrainë e që ka ndikuar ekonominë globale por normal edhe në Kosovë. Si rezultat i kësaj ka ndodhë që të kemi rritje të normës së interesit, të inflacionit që kjo pastaj ka reflektuar edhe në Kosovë, dhe gjithashtu ka ndikuar në ndryshim të politikave monetare”.
Duke folur për remitencat, Mehmeti i konsideron si burim shumë të rëndësishëm të ekonomisë vendëse. Thotë se ka rritje të investimeve të huaja direkte dhe dërgesës që ka bërë diaspora.
“Jemi shumë optimist se gjatë gjashtë mujori i dytë i vitit të ardhshëm do të jetë pozitiv në të gjitha aspektet, do të kemi rënie të inflacionit, parashikimet tona do të jenë që do të bie deri në gjashtë për qind dhe që kjo më pastaj do të ndikojë pozitivisht në rritjen e aftësisë paguese të qytetarëve dhe pastaj do të ndikojë edhe konsumi dhe shumë faktorë tjerë”.
Guvernatori i BQK-së, ka thënë se 1. 48 miliardë euro janë shpenzime jo jorezidente, që sipas Mehmetit konsiderohen se janë të diasporës. Ndërsa në total konsiderohen se janë 3 miliardë euro të diasporës.
“1. 48 miliardë euro janë shpenzime jo jorezidente që ne i quajmë por janë të diasporës. 1 miliard janë remitencat dhe nëse i shohim investimet e huaja direkte kanë shkuar 567 milionë euro, dhe këto kryesisht realizohen prej diasporës, për arsye se 67 për qind janë të dedikuara për patundshmëri, pjesa tjetër për shërbimet financiare, që në total nëse i mbledhin i bie mbi 3 miliardë euro të hyra që vijnë prej diasporës”, thotë tutje Mehmeti.
Mehmeti ka thënë se remitencat duhet të orientohen në drejtim të investimeve. Kjo, thotë se ndikon në forcimin e lidhjes ndërmjet diasporës dhe Kosovës.
“Të hyrat e diasporës janë burim shumë i rëndësishëm i financimit për ekonominë e vendit. Mirëpo, tash nëse shkojmë nëpër kategori edhe shpenzimet jorezidente edhe me fokus të veçantë për remitencat, janë të dedikuara kryesisht për konsum. Konsumi është një prej faktorëve që ndikon rritjen ekonomike në vend, mirëpo ajo çka është e rëndësishme është se duhet të punohet në drejtim të asaj që t’i orientojmë remitencat në drejtim të investimeve. Kjo në rend të parë forcon lidhjes ndërmjet diasporës dhe të Kosovës, dhe me siguri që mund të ketë një vlerë më të shtuar për ekonominë e vendit”, u shpreh ai.