Dilni në dritare ose në ballkonin tuaj, shikoni ҫfarë do të ndodh sonte

23:55 | 07 Prill 2020

Dilni në dritare ose edhe në ballkonin tuaj dhe shikoni ҫfarë po ndodh jashtë.

Nëse arrini të keni një pamje të mirë të qiellit sonte teksa jeni në karantinë, qoftë nga ballkoni apo dritarja juaj, hidhini një sy “superhënës”.

Një fenomen i tillë ndodh kur hëna e plotë ndodhet në pikën më të afërt me Tokën.

Si rrjedhojë, hëna duket disi më e madhe sesa zakonisht. Sonte pritet të jetë hëna më e madhe dhe e shndritshme e 2020.

Në varësi të motit, hëna do të jetë e dukshme si për hemisferën e veriut ashtu edhe për atë jugut.

Hëna do të duket rreth 17 për qind më e madhe dhe 30 për qind më e shndritshme, thotë Noah Petro, një shkencëtar i NASA, i cili inkurajon njerëzit që ta shijojnë këtë pamje në kushtet e izolimit.

“Nuk do të jetë e nevojshme që të keni pajisje të specializuara teknologjike, ajo do të jetë e dukshme edhe me sy të lirë” tha ai.

Petro thotë se këto janë nga ato momentet që i bëjnë njerëzit bashkë, edhe nëse janë të izoluar për shkak të kufizimeve nga koronavirus.

“Nuk ka rëndësi nëse je i izoluar në shtëpinë tënde në Angli, në Uashington, apo në Azi. Të gjithë do të shohim të njëjtën hënë, është diçka e përbashkët në të gjithë globin. Dhe tani, pikërisht në këto kohë, mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi diçka që të na bashkojë të gjithë.”

Komento: