Dimal Basha ia hedh fajin Dukagjin Lipës për “Sunny Hill”: S’matet dashuria për vendin me para e toka

23:59 | 15 Qershor 2022

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka folur për debatin rreth zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.

Ai ka bërë një krahasim të kushteve që Prishtina i ka ofruar për këtë festival kundrejt Tiranës, duke thënë se dashuria për vendin nuk matet me para dhe toka.

“Nëse festivali Sunny Hill është duke u mbajtur me një hapësirë që e ka alokuar Tirana vetëm për shfrytëzim, pse atëherë nuk u pranua shfrytëzimi i hapësirës nga Prishtina siç ka ndodh më parë, por me ne lidhet vetëm me dhënie të pronës? Nuk lidhet bre dashnia për vendin gjithmonë me pare dhe me toka!”, ka shkruar deputeti në Facebook.

Tutje, Basha ka thënë se zhvendosjen e festivalit nga Prishtina në Tiranë e ka sjell vetë organizuesi, Dukagjin Lipa dhe jo Qeveria. Deputeti ka thënë se përgjegjësia i takon Dukagjin Lipës.

“Tjetra, zhvendosjen nga Prishtina në Tiranë e ka sjell Dukagjin Lipa, jo Qeveria, dhe rrjedhimisht përgjegjësinë që të rinjtë tanë nuk janë pjesë e festivalit e mban Dukagjini”, ka shkruar tutje.

Po ashtu, deputeti Basha ka arsyetuar MAPL-në për procedurat që “Sunny Hill” është ankuar se janë zhagitur. Sipas Bashës, kërkesa është bërë me 16 maj, që sipas tij është afat i shkurtër.

“Për më tepër, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka pranuar kërkesën me 16 maj, dhe ka kërkuar dokumente shtesë sepse nuk e ka pasur dosjen e kompletuar, por që nuk u ka marrë, dhe dje, pa u bë as një muaj Dukagjin Lipa veç doli duke treguar që ka një marrëveshje me Tiranën”, ka shkruar ai.

Komento: