“Vajton” Dinamo, e shiti Rrahmanin veç 2 milionë euro, tash ai kushton 25 milionë.
Dinamo Zagrebi u gëzua vite më parë kur i siguroi 2.1 milionë euro nga shitja e Amir Rrahmanit.
Mirëpo, tash klubi kroat po e kruan kokën.
Me kalimin e viteve, futbollisti kosovar është përmirësuar dukshëm dhe vlera e tij është rritur në mënyrë enorme, shkruan Gazeta Express.
Fillimisht, përfaqësuesi kosovar kishte përfunduar në Maksimir në verën e vitit 2016 nga RNK Split për 1,6 milion euro.
E më pas, nga Dinamo, Rrahmani iu bashkua Veronës për 2 milionë.
Qendërmbrojtësi kosovar nuk qëndroi gjatë në ekipin italian për t’iu bashkuar Napolit për 14,2 milionë euro.
E në stadiumin “Diego Armando Maradona” 28 vjeçari është bërë njëri prej liderëve të ekipit dhe po e ndihmon Napolin në rrugëtimin drejt titullit të kampionit pas pritjes prej 33 vjetësh.
Vlera e kartonit të Rrahmanit është rritur dukshëm tash dhe kushton 25 milionë euro, sipas “Transfermarkt”, shkruan Gazeta Express.
Mediumi i njohur kroat “Index hr” ia ka kushtuar një shkrim të veçantë zhvillimit dhe rritjes së Rrahmanit, duke e theksuar faktin se dikur tifozët e Dinamo Zagrebit gëzoheshin për faktin që klubi e shiti atë për 2 milionë euro, ndërsa tash vlera e tij është më shumë se 10 fish më e madhe.
Ndërkohë, Napoli e ka bërë gati kontratën për futbollistin kosovar, i cili pritet të paguhet deri në 2,5 milionë euro.