Diplomati amerikan: Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës

16:16 | 03 August 2019

Wilson ka thënë se Vuçiq do ta njohë Kosovën, mirëpo jo pa një marrëveshje që i përshtatet gjithë Serbisë.

Diplomati amerikan, Damon Wilson thotë se është rasti historik që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje historike, duke potencuar se Serbia do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Megjithatë nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodh pa një marrëveshje që i përshtatet gjithë Serbisë.

“Unë besoj që Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por nuk besoj se mund të ndodh ashtu. Një gjë e tillë duhet të jetë pjesë e një pakete që i përshtatet të gjithë Serbisë”, ka thënë Ëilson për Zërin e Amerikës, edicionin në gjuhën serbe.

Wilson thotë se mungesa e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke penguar progresin e këtyre dy vendeve.

Ai thotë se një marrëveshje duhet të gjendet në muajt e ardhshëm, duke thënë se nuk ka ndonjë afat të caktuar, por se një gjë e tillë është urgjente.

Diplomati amerikan thotë se i gjithë Ballkani do të mbetet i pazhvilluar si pasojë e ngërçit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij SHBA-ja dhe BE-ja do të shtyjnë përpara të dy shtetet drejt një finaleje, por shton se po e presin se si do të shkojë procesi zgjedhor pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Për taksën, Ëilson thotë se ka qenë një vendim i dëmshëm, por potencon se gjithashtu edhe fushata agresive e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës duhet të ndalet.

Komento: