Metthew Palmer ka ripërsëritur mbështetjen e Amerikës për shtetin e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer.
Duke iu referuar nismës së kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Palmer tha se beson që ajo është nismë në mbështetje të dialogut të Brukselit.
“Ne i kuptojmë takimet në Berlin e Paris si të dizajnuara që të mbështesin dialogun gjithëpërfshirës për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi ai.
Palmer, po ashtu tha se pret që Prishtina zyrtare të suspendojë tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia, në mënyrë që dialogu të vazhdojë sa më shpejt.
Radio Evropa e Lirë: Ju sapo u kthyet nga Serbia ku takuat disa zyrtarë kryesorë atje dhe tani jeni në Prishtinë. A patët sukses që t’i bindni të dyja palët që t’i kthehen dialogut?
Matthew Palmer: Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Mendoj se është fundamental për të ardhmen e të dyjave vendeve, Serbisë dhe Kosovës që të gjejnë një rrugë për të normalizuar raportet, idealisht kjo do të thoshte njohje e dyanshme dhe hapja e një rruge drejt integrimit evropian për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë. Kthimi në tavolinë është fundamentale për këtë. Kjo nënkupton suspendimin e tarifës, pra largimi i pengesave për progres. Unë besoj që të dyja palët janë gati që të ritakohen, por është më rëndësi që të krijohen kushtet në mënyrë që kjo të jetë e mundur. Ne mbetemi mbështetësit kryesorë në këtë proces. Nuk ka rrugë tjetër përpara për Kosovën, përpos dialogut me Serbinë, normalizimi i raporteve dhe ne shpresojmë se mund të ndodhë sa më parë.
Radio Evropa e Lirë: Në pikëpamjen e SHBA-së, a është largimi i tarifave një kusht absolut për vazhdimin e dialogut?
Matthew Palmer: Në këtë pikë nuk shohim ndonjë rrugë tjetër përpara. Është apo jo e drejtë, kjo është një pyetje tjetër, por taksa është pengesë për progresin. Kosova nuk po fiton nga kjo në ndonjë mënyrë. Tarifat në fakt janë, siç i shohim ne, të dëmshme për interesin strategjik të Kosovës në normalizim dhe rrugën evropiane. Kështu që, ne inkurajojmë autoritet në Prishtinë që, minimalisht të suspendojnë tarifën në mënyrë që të lejojnë procesin që të rifillojë, të shihet nëse mund të arrihet progres, nëse mund të tërheqje apo lëvizje përpara dhe tani të bëjmë gjithçka mundemi që të çojmë procesin përpara drejt një marrëveshje sa më parë.
Radio Evropa e Lirë: A shihni gatishmëri në shoqërinë kosovare për të suspenduar tarifën?
Matthew Palmer: Mendoj se ky është një vendim që duhet ta ndërmarrë Kosova në bazë të mirëkuptimit kolektiv për interesat më të rëndësishme të Kosovës. E kuptoj që tarifat janë shumë popullore dhe e kuptojmë pse, por në inkurajojmë njerëzit, si liderët politikë ashtu edhe votuesit në Kosovë, që të shikojnë mirë se çfarë po përfiton në fakt Kosova nga kjo dhe çfarë në të vërtetë ka shkaktuar në Kosovë. Dhe nëse kjo është shikuar qartësisht, mendoj se ata do të pajtoheshin me konkluzionet tona se tarifat rrënjësisht nuk janë duke ndihmuar Kosovën në rrugën në të cilën ajo duhet të shkojë përpara.
Radio Evropa e Lirë: A mund të jetë ‘Shuttle’ diplomacia si diçka që do të mund të përdorej për t’i kthyer të dyja palët në tavolinë?
Mathew Palmer: Unë sapo isha në Beograd, tani jam në Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë: A është kjo pjesë e ‘Shuttle’ diplomacisë?
Matthew Palmer: Ne zhvillojmë bisedime me të dy palët në këtë proces rreth asaj se si të ecim përpara. Në fund të fundit kjo nuk varet nga ne që të negociojmë një marrëveshje. Prishtina nuk do të negociojë një marrëveshje me SHBA-në, nuk do të negociojë një marrëveshje me Brukselin, duhet të negociojë me Beogradin, kështu që duhet që të gjejë një rrugë përpara duke u kthyer në tavolinën e dialogut duke u kthyer ne tavolinën e negociatave dhe të arrijë një marrëveshje që avancon interesat nacionale të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A po kërkon Prishtina nga Shtetet e Bashkuara që të përfshihen më shumë në këtë proces, apo ndoshta në ‘Shuttle’ diplomaci?
Matthew Palemer: Nuk ka ndonjë proces, në të cilin SHBA-ja do të përfshihej apo do të mbështeste në një formë materiale. Duhet të gjejmë një rrugë për të rinisur dialogun. SHBA-ja është e përkushtuar për ta mbështetur atë proces. Ne kemi qenë të përfshirë dhe të angazhuar që nga fillimi. Jemi të përgatitur për të bërë më shumë në mbështetje të këtij procesi, por ne duhet të gjejmë një mënyrë që t’i kthejmë palët në tavolinën e bisedimeve, për të biseduar për çështjet fundamentale.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, SHBA-ja nuk është e ashpër siç ishte në fillim kur tarifat u vendosën. Ju anuluat disa vizita në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj nuk mori pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Uashington për shkak të çështjes së vizës. A ka ndryshuar diçka në ndërkohë?
Matthew Palmer: Njerëzit analizojnë më shumë sesa duhet në zhvillimet e vogla, por fundamentalisht SHBA-ja mbështet Kosovën. Kosova është partnere për ne dhe ne jemi partner strategjik për Kosovën. Thënë këtë, ka kufizime se çfarë SHBA-ja mund të bëjë për të ndihmuar Kosovën, nëse Kosova nuk e ndihmon veten. Pra, në kuptimin e dialogut me Serbinë, pasojat natyrale të bllokimit të procesit të dialogut, do të manifestohen edhe pa pasur nevojë që Shtetet e Bashkuara të jenë të fortë dhe të ashpër në ndonjë mënyrë të veçantë. Kosova nuk do të jetë në gjendje të lëvizë përpara dhe siç kam thënë në deklarimet e mia publike dje, nëse Kosova nuk lëvizë përpara, do të rrëshqas prapa. Pra, Kosova duhet ta ndihmojë veten dhe duhet ta ndihmojë veten duke bërë atë që është e nevojshme që ta rikthejë këtë proces dhe të lëvizë përpara.