Diplomati austriak pohon se Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

13:25 | 28 Maj 2024
diplomati-austriak-pohon-se-thacin-e-kane-cilesuar-me-shume-si-figure-politike-sesa-ushtarake

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitar Jan Kickert tha se gjatë vitit 1998, Hashim Thaçin më shumë e kanë konsideruar si figurë politike sesa ushtarake.

Dëshmitari tha se një gazetar kosovar i kishte thënë se Thaçi ishte një personalitet i nivelit të lartë, i cili mund të fliste në emër të UÇK-së në procesin politik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Është e saktë sepse atë po kërkonim edhe ne. Kjo më ishte thënë mua nga një gazetar vendor, si personalitet potencial i nivelit të lartë me të cilin mund të fliste me autoritet në emër të UÇK-së për procesin politik të cilin ne po përpiqeshim ta arrinim”, tha Jan Kickert.

Ai gjithashtu shtoi se është takuar disa herë edhe me Kadri Veselin gjatë kësaj periudhë kohore.

Dëshmitari pohoi se më 1999 kishte shkuar edhe në zonën e Llapit, e cila komandohej nga komandant Remi.

“Nuk e di, më duket që Remi ka qenë në rajonin e Llapit, por nuk e di se kur mund të kem shkuar në komandën e tij. Nuk e di as deri ku shtrihej kjo zonë dhe ne kemi pasur zhvilluar diskutime në janar të 1999-ës lidhur me ushtarët e ushtrisë jugosllave”, tha diplomati austriak, duke mohuar se ka shkuar ndonjëherë në këtë zonë më 1998.

Jan Kickert tha se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

Dëshmitari pohoi se UÇK-ja ekzagjëronte strukturën e saj, koordinimin për t’u marrë më seriozisht nga ndërkombëtarët.

“Për të çuar përpara statusin e tyre- Kosovës, por edhe për neve në sy tanë të ndërkombëtarëve që t’i merrnim ata më seriozisht. Kjo ka qenë tendenca kryesisht e tyre në mesin e diplomacisë amerikane, për të vënë në një anë UÇK-në në formimin e platformës politike të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. Ne evropianët, ne austriaket nuk besonim që kjo ishte e mundur, por ishte një përplasje e vazhdueshme. Në verë të vitit 1998 mendoj së ata kanë mbivlerësuar veten e tyre, aftësitë e tyre…”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se postblloqet e vendosura nga UÇK-ja gjatë periudhës së luftës kanë qenë të kontrolluara më shumë nga bujq sesa nga ushtarë.

“Kjo ka qenë përvoja kur jemi takuar për herë të parë në Malishevë. Kur kemi kaluar nga rruga kryesore tek një pikë kontrolli që ishte qartësisht e mbajtur nga individë që nuk ishin të trajnuar apo të stërvitur. Ishin njerëz të armatosur thjesht”, tha ai.

Komento: