Diplomati italian: Ka shtete në BE që ende s’e njohin Kosovën dhe se tema e zgjerimit po has në problematika

03:38 | 26 December 2024
diplomati-italian:-ka-shtete-ne-be-qe-ende-s’e-njohin-kosoven-dhe-se-tema-e-zgjerimit-po-has-ne-problematika

Diplomati italian, Lamberto Zanieri, i cili ka shërbyer në Kosovë si shef i UNMIK-ut ka folur për zhvillimet politike lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për Veriun e Kosovës.

Zanieri teksa ka komentuar veprimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me Veriun e vendit, ka thënë se veprimet imponuese të sundimit të ligjit dhe pa mirëkuptim me komunitetet lokale, vetëm sa e kanë përkeqësuar situatën.

Sa i përket sulmit të fundit të ndodhur më 29 nëntor në kanalin e Ibër-Lepencit dhe hetimeve që po zhvillohen, Zanieri ka thënë se s’pret hetim të suksesshëm nga Policia e Kosovës nëse s’do të arrihet të sigurohet bashkëpunim me popullatën vendase dhe dëshmitarët e mundshëm.

“Organizatat ndërkombëtare mund të përfshihen, por ato mund të përballen me probleme të ngjashme”, ka thënë Zanieri.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Zanieri ka thënë se s’është duke i ndjekur nga afër, megjithatë thotë se është pak i zhgënjyer me ritmin e ngadaltë të zbatimit të marrëveshjeve.

Ai tutje ka folur për Novosti, ka veçuar edhe për problemin e BE-së si ndërmjetës, duke theksuar faktin se ka shtete në BE që ende s’e njohin Kosovën dhe se tema e zgjerimit po has në problematika të shumta.

“Derisa punoja në Kosovë, politika e OKB-së dhe qëllimi im ishte përfshirja e BE-së, sepse ajo ka më shumë ndikim se OKB-ja dhe diçka për të ofruar. Ajo qëndron edhe sot, por ka shumë probleme. Njëra është se BE-ja është ende e ndarë, me vende që nuk e njohin Kosovën. E dyta është se tema e zgjerimit të BE-së është e përfshirë në probleme të shumta, kështu që dinamika nuk është aq pozitive sa ishte dhjetë vjet më pare”, ka thënë ai.

Komento: