Diplomati slloven: Koha për marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk është e pakufizuar – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Diplomati slloven: Koha për marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk është e pakufizuar

10:41 | 25 Nëntor 2022

Diplomati slloven Anzhej Frangesh bë i dërguari special i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit 2022, në një kohë kur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës karakterizohen nga tensioni i lartë për targat nga njëra anë, por edhe nga një debat intensiv për një marrëveshje të mundshme historike për marrëdhëniet e ndërsjella.

“Kur diçka rezulton e mundur, tensionet rriten”.

“Shpresoj që shkaku i nervozizmit rreth Kosovës të jetë afërsia e mundësisë së përparimit në dialog, e jo se diçka po ndodh realisht me targat apo të ngjashme”, thotë Frangesh në një intervistë për BBC në serbisht, transmeton Klankosova.

Propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i panjohur për opinionin, pas të cilit qëndronte Bashkimi Evropian (BE), për Frangeshin vjen në një kohë të rrethanave të mira.

“Jemi në një situatë ku ndoshta për herë të parë që nga fillimi i dialogut, kemi liderë nga të dyja palët, të cilët janë mjaft të fortë në mjediset e tyre dhe mes votuesve që të mund të marrin dhe zbatojnë vendime të vështira”.

“Gjithashtu, në një vit e gjysmë apo dy të ardhshëm nuk është e nevojshme të ketë zgjedhje dhe vendet më të mëdha evropiane dhe perëndimore kanë qeveri të qëndrueshme”, shprehet ai.

Anzhej Frangesh është një diplomat slloven shumëvjeçar, i cili në poste të ndryshme merrej me marrëdhëniet ballkanike, kryesisht ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sot, ai është një nga përfaqësuesit specialë për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Miroslav Lajçakun (BE), Gabriel Escobarin (Shtetet e Bashkuara), Manuel Zarrazinin (Gjermani), dyshen gjermano-franceze Jens Plettnerin e Emmanuel Bonnen, dhe Stuart Peachin (Britania e Madhe).

Kosova: Nga “zona e muzgut” në një mundësi për marrëveshje

Në fillim të vitit 2004, Anzhej Frangesh shkruante për Kosovën si “zonë muzgu” në një tekst autorial për gazetën sllovene “Finance”, duke renditur mbi të gjitha dështimet dhe vështirësitë ekonomike në vitet e para pas vendosjes së qeverisjes ndërkombëtare në Kosovë.

Më pak se dy dekada më vonë, dhe gati 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ai i sheh gjërat disi ndryshe.

“Unë nuk mendoj se është një zonë muzgu, sigurisht që shoh dritë dhe ajo dritë duhet të jetë perspektiva evropiane, por ne nga Evropa duhet ta sigurojmë atë dritë”.

“Askush nuk mund të pretendojë se gjithçka është zgjidhur – ka mbetur shumë për të bërë”.

Vitet e kaluara u shënuan edhe me negociata të shumta, në radhë të parë ato në Bruksel, të cilat rezultuan me zhvillime kryesisht të vogla në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Vetë Frangesh ka qenë pjesëmarrës në disa nga diskutimet, si zgjidhja e çështjes së telekomunikacionit, prefiski i thirrjeve për Kosovën, nga viti 2015 – një nga ato që funksionojnë më mirë në praktikë.

“Në atë kohë mendoja se gjithçka do të kishte përfunduar në këtë kohë dhe ndoshta isha naiv se do të arrinim në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin në BE me Serbinë”.

“Ku humbi magjia – nuk e di, por sigurisht mendoj se ka të bëjë më shumë me vullnetin politik”.

Kryenegociatorët tani po grinden publikisht për çështjen e targave, ndërsa larg syrit të publikut po negociojnë tema shumë më ambicioze.

Propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është diskutuar prej disa muajsh, por përpos konfirmimit zyrtar se propozimi ekziston, detajet nuk dihen publikisht, transmeton Klankosova.tv.

Në ndërkohë propozimi është bërë evropian, por zyrtari i njërit prej anëtarëve të BE-së i qëndron besnik diplomacisë sekrete që shënon këtë proces tani për tani, ndaj thotë se nuk do t’i përgjigjet pyetjes se kur dhe as nëse e ka parë propozimin franko-gjerman.

BBC: “Kur e keni parë propozimin franko-gjerman, pra propozimin evropian për zgjidhjen e marrëdhënieve Serbi-Kosovë?”.

Frangesh: “Unë mendoj se këto janë disa gjëra që duhet të mbeten për momentin në fushën e diplomacisë së qetë”.

BBC: “A është një nismë gjermano-franceze apo një nismë e BE-së?”.

Frangesh: “Mesazhi që po japim për të gjithë është se ky është një proces i udhëhequr nga BE-ja dhe për këtë ka një negociator dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi që të kemi pozicione të koordinuara dhe të ndihmojmë Miroslav Lajçakun”.

Sa kohë kanë Beogradi dhe Prishtina për t’i përafruar qëndrimet e tyre, për Anzhej Frangeshin, nuk bëhet fjalë për afate të qarta.

“Diçka nuk ka pse të bëhet nesër apo pasnesër, por është e qartë se koha nuk është e pakufizuar”.

“Unë nuk e di se ka një presion të drejtpërdrejtë të kohës, por ka një hapësirë kohore që nuk është e përjetshme – megjithëse nuk jam i sigurt se gjërat mund të përfundojnë brenda disa muajsh”.

Derisa presin të kuptojnë se për çfarë po flasin në të vërtetë Beogradi dhe Prishtina, qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë në vendet e Schengenit pa viza.

Frangesh beson se është e rëndësishme të merret një vendim politik që do të mundësohej regjimi pa viza dhe se atëherë është çështje teknike se kur do të zbatohet.

I pyetur nëse kjo çështje përdoret edhe në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si formë presioni ndaj Prishtinës, Frangeshi përgjigjet:

“Nuk mendoj se ka lidhje direkte, por ka një atmosferë në të cilën mund të shihet nëse dikush është bashkëpunues, kështu që shtetet që vendosin mund të marrin një vendim më të lehtë”.

“Nuk kam qenë prezent në biseda ku dikush thotë nëse bën një gjë, do të marrësh diçka, por është e qartë që dikush e ka më të lehtë të bëjë gjest pozitiv kur gjeste të tilla vijnë edhe nga ana tjetër”.

Çfarë është Sllovenia për Ballkanin?

Kur Anzhej Frangesh përshkruan situatën në Ballkanin Perëndimor, ai e përshkruan atë aspak të thjeshtë apo të lehtë, duke shtuar se shumëçka ka ndryshuar që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës.

“Në vitet e mëparshme, interesi i publikut dhe politikanëve në Perëndim për Ballkanin u zbeh sepse nuk kishte as përparim të madh në reforma, as probleme”.

“Rrethanat e reja janë gjithashtu një mundësi, kështu që miqtë e Ballkanit thanë se nëse Ukraina dhe Moldavia munden, pse, për shembull, Bosnja dhe Hercegovina nuk mundet të jetë në gjendje të marrë statusin e një kandidati për anëtarësim në BE”.

Në qershor 2022, katër muaj pas fillimit të agresionit rus, Bashkimi Evropian i dha statusin e kandidatit për anëtarësim Ukrainës dhe Moldavisë.

Kur Frangesh u emërua i dërguar special për Ballkanin Perëndimor nga Sllovenia në gusht, ai u bë përfaqësuesi i parë i tillë nga një vend që nuk është pjesë e “kuintit” (një organizatë joformale e pesë vendeve kryesore të Perëndimit: SHBA, Madhe Britania, Italia, Gjermania dhe Franca).

“Ne kemi përvojë historike, gjeografikisht jemi afër dhe gjithçka që ndodh këtu na ndikon, jemi të lidhur nga ekonomia dhe kultura”.

“Ne kemi interesa specifike dhe njerëzit individualisht kanë gjithashtu interesa: ata udhëtojnë më së shumti në Ballkan, ndihen si në shtëpinë e tyre”.

Frangeshi nuk ka frikë se trashëgimia jugosllave do ta rëndonte rolin slloven, por përkundrazi, ai përmend kontributet e Lubjanës në rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kur kryesuam BE-në për herë të parë, ne lidhëm marrëveshje stabilizimi dhe asociimi me të gjithë ata që deri atëherë nuk kishin, është punuar aktivisht në liberalizimin e vizave, ne investuam shumë kohë që Serbia së fundi të hapte një kapitull në negociatat për anëtarësim”.

“Unë mendoj se Sllovenia ka një reputacion të një partneri të sinqertë në Ballkan”, përfundon Frangesh.

Komento: