Kosova do t’i pranojë disa gazetarë afganë, ndahen 30 mijë euro.
Qeveria i ndau 30 mijë euro për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që ky dikaster do t’i shpenzojë për t’i strehuar disa gazetarë nga Afganistani, raporton Gazeta Express.
Unanimisht, Qeveria e miratoi ndarjen e 30 mijë eurove. Zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti tha se kjo po bëhet në shenjë solidarizimi me gazetarët nga Afganistani dhe që atyre t’ua mundësohet raportimi i profesional.
“Kjo shumë mbulon shpenzimet për periudhën e mbetur të vitit 2022”, tha Ahmeti.
Qeveria po ashtu miratoi një vendim për t’iu ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme pesë gazetarëve afganë.
Përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet në koordinim me Federatën Europiane të Gazetarëve.