Qeveria ka dalë me njoftim, disa orë pas takimit me pesë top diplomatët që qëndruan sot në zyrë të Kurtit. Në takimin që zgjati më shumë se dy orë, Qeveria thotë se u fol për propozimin evropian.
Në Prishtinë paraditen e sotme qëndruan përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, i dërguari i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kurti i priti pesë diplomatët në zyrë, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi.
Qeveria thotë se në këtë takim u diskutuar për propozimin evropian, të njohur edhe si plani franko-gjerman.
“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Diplomatët që e takojnë Kurtin në secilën herë e përmendin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një obligim që Qeveria e Kosovës duhet ta përmbush me doemos. Qeveria thotë se sot u bisedua për “të drejtat e pakicave”.
“U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gushtit 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”, thuhet në njoftim.
Më pas thuhet që Kurti t’i ketë njoftuar përfaqësuesit për “të arriturat e Kosovës” në disa fusha që ai konsideron se janë bërë.
“Ai i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën”.
Në fund, Qeveria njofton se “Pas këtij takimi, emisarët udhëtuan për në kryeqytetin e fqinjit verior të Republikës së Kosovës”.
Pesë diplomatët menjëherë pas takimit me Kurtin udhëtuan për në Beograd, për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq.