
Vonohen disa pako me vota nga diaspora.
Rreth 60 pako me fletëvotime nga diaspora pritet të mbërrijnë këtë të shtunë në Kosovë. Të njëjtat nuk do të merren parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shkaku i ardhjes jashtë afatit të përcaktuar me ligj.
Afati për ardhjen e pakove nga diaspora ka përfunduar të premten, më 12 shkurt.
KOHA, jozyrtarisht, ka marrë vesh që arsyeja e vonesës së këtyre pakove është mosrealizimi i fluturimeve të planifikuara, shkaku i motit të lig.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kanë dhënë detaje lidhur me pakot e ardhura me vonesë, derisa kanë bërë të ditur se brenda afatit ligjor kanë pranuar 43 mijë e 477 pako të supozuara me fletëvotime.
Lidhur me këto pako, KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me Sekretariatin e KQZ-së, që bën bartjen dhe pranimin e tyre, por zyrtarë të saj kanë qenë të paqasshëm gjatë së shtunës.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin e ndjeshëm nëpër komuna.
Shpërndarja e tyre është bërë nën përcjellën e njësiteve policore.
“Ky material, siç e shihni, po shpërndahet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe i njëjti do të dërgohet në depot e Komisioneve Komunale të zgjedhjeve në të 38-të komunat e Kosovës, ndërkaq nesër në orët e hershme të mëngjesit do të shpërndahet në qendrat e votimit në mënyrë që në orën 7:00 të mund të fillojë procesi i votimit”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Elezi ka bërë të ditur se janë shtypur 10 për qind më pak fletëvotime sesa është numri i votuesve me të drejtë vote, veprim ky i përvitshëm i KQZ-së.
Nga qendra ku janë grumbulluar, në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, pakot e ardhura nga diaspora të dielën do të barten për në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku fillimisht do të verifikohen e pastaj edhe do të bëhet numërimi i tyre.