“Disa sinjale të mira”, por ende ka dallime në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit

13:20 | 22 Maj 2026
“disa-sinjale-te-mira”,-por-ende-ka-dallime-ne-negociatat-mes-shba-se-dhe-iranit

Gjendja e negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ishte në ndryshim e sipër në orët e para të 22 majit, me të dyja palët që ende nuk kanë tejkaluar mosmarrëveshjet mbi kontrollin e Ngushticës së Hormuzit në të ardhmen dhe të drejtën e Iranit për pasurim të uraniumit – në mes tjerash – teksa ndërmjetësi pakistanez është nisur drejt Teheranit për një përpjekje të re për paqe.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka insistuar që Uashingtoni në fund do të marrë nën kontroll rezervat e Iranit me uranium të pasuruar në nivel të lartë, i cili mund të përdoret për të zhvilluar një armë bërthamore, pavarësisht këmbënguljes së Iranit se nuk do të lejojë që SHBA-ja të marrë uraniumin.

“Do ta marrim. Nuk na duhet. Nuk e duam”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. “Me gjasë ne do ta shkatërrojmë pasi ta marrim, por nuk do të lejojmë që ata ta kenë atë”.

Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u tha gazetarëve se një marrëveshje diplomatike “nuk do të jetë e mundshme të arrihet” nëse Teherani vazhdon të ndjekë zbatimin e një sistemi tarifimi në Ngushticën e Hormuzit, rrugës ujore ndërkombëtare përmes së cilës kalonte rreth 20 për qind e furnizimeve globale të naftës dhe gazës para luftës, që nisi në fund të shkurtit.

“Askush në botë nuk përkrah sistemin e tarifimit. Nuk mund të ndodhë. Është e papranueshme”, tha Rubio. “Do të ishte një kërcënim për botën nëse ata përpiqen ta bëjnë këtë dhe është tërësisht e paligjshme”, shtoi ai.

Trump po ashtu ka kundërshtuar çdo lloj tarife për kalimin nëpër Hormuz.

“Ne duam ta hapim. Duam të jetë pa pagesë. Nuk duam tarifa”, tha Trump. “Është një rrugë ujore ndërkombëtare”.

Pavarësisht retorikës së ashpër, si Trump, ashtu edhe Rubio, insistuan se është e mundur që të arrihet një marrëveshje diplomatike.

“Ka disa sinjale të mira”, tha Rubio. “Nuk dua të jem shumë optimist… Prandaj, le të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”.

“Besoj se pakistanezët do të udhëtojnë sot drejt Teheranit. Pra, shpresojmë që kjo të ofrojë përparim”, tha Rubion për gazetarët.

Zyrtarët amerikanë shpesh kanë vlerësuar se është afër arritja e një marrëveshjeje të paqes dhe më pas diskutimet kanë dështuar duke mos rezultuar me ndonjë përparim të dukshëm.

“Ngushtimi i dallimeve”

Irani tha se propozimi i fundit amerikan për përfundimin e luftës “ka ngushtuar në njëfarë mase dallimet”, teksa shefi i ushtrisë pakistaneze, Asif Munir, udhëtoi për në Teheran në përpjekje për të ngushtuar edhe më tej hendekun mes palëve, sipas medias shtetërore iraniane.

Agjencia e lajmeve e Iranit, ISNA, tha se këmbimi i mesazheve mes Iranit dhe SHBA-së “po vazhdon” me qëllimin që të arrihet një kornizë për një marrëveshje.

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Mohsin Naqvi, veçse është në Teheran ku po zhvillon bisedime me zyrtarë iranianë.

Pakistani ka qenë mikpritës i rundit të vetëm formal të bisedimeve Iran-SHBA që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore më 28 shkurt dhe që atëherë, Islamabadi ka shërbyer si kanal kyç komunikimi mes dy palëve.

Më 21 maj, Reuters citoi një zyrtar të lartë iranian që tha se pasurimi i uraniumit nga Irani dhe kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit mbeten pikat kyç të mospajtimeve.

Irani po ashtu raportohet se ka kërkuar reparacione për dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, tërheqjen e të gjitha trupave amerikane që gjenden në shtetet që ndajnë kufi me Iranin, përfundimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, ndaljen e të gjitha luftimeve, përfshirë edhe sulmet e Izraelit ndaj luftëtarëve të Hezbollahut në Iran – kushte që në të kaluarën janë refuzuar nga Uashingtoni.

Hezbollahu, një grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo krahun politik.

Rinisje të sulmeve?

Presidenti amerikan tha se është i gatshëm të rifillojë sulmet ndaj Iranit nëse nuk merr “përgjigjet e duhura” nga udhëheqja iraniane.

Si pjesë e objektivave të shpallura të luftës që nga nisja e sulmeve, Trump dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë përmendur çmontimin e programit bërthamor të Iranit, dhënien fund të mbështetjes së Teheranit për grupet ekstremiste në rajon dhe shkatërrimin e kapaciteteve të tij raketore.

Trump duket se ka reduktuar kërkesat, duke u fokusuar kryesisht në parandalimin e Iranit që të ketë armë bërthamore. Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile./REL/

Komento: