Diskutimet në Bruksel për finalizimin e marrëveshjes pritet të vazhdojnë edhe sot

11:37 | 30 September 2021

Diskutimet për finalizimin e një marrëveshje që do t’i jepte fund situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës pritet të vazhdojnë edhe sot.

Kjo pasi që dje gjatë gjithë ditës Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Miroslav Lajcak kanë arritur pajtueshmëri në dy pika, për vendosjen e stiekrave në targa dhe për modalitetin e largimit të policisë speciale dhe barrikadave nga veriu.

Derisa pala serbe s’është pajtuar me një paragraf të draft-marrëveshjes që ndërlidhet me tabelat e makinave KM.

Ndërkohë dje nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se negociatat do të vazhdojnë deri në arritjen e një marrëveshje finale për zhbllokimin e situatës në veri.

Edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë thënë se ka progres në mes të palëve, megjithatë puna vazhdon.

Besnik Bislimi dje në një konferencë për media pas takimeve në Bruksel ka dhënë detaje për dakordimet që kanë pasur me palën serbe.

“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final. Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendësohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka thënë ai.

Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Komento: