Distria Krasniqi fiton të artën në Budapest

20:23 | 23 October 2020

Distria Krasniqi, e artë në Budapest.

Xhudistja pejane ka shkëlqyer në “Grand Slamin” e Hungarisë, garuesit tjerë kosovarë u eliminuan herët

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje të artë Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Xhudistja pejane ka shkëlqyer në “Grand Slamin” e Hungarisë, i cili filloi sot.

Krasniqi ka dominuar në kategorinë 48 kilogramë, në garën që po mbahet në Budapest.

Rrethin e parë, Distria e kaloi pa luftë, ndërsa në atë të dytë ishte më e mirë se hungarezja Eva Csernoviczki.

Në rrethin e tretë, përkatësisht në çerekfinale, Krasniqi e mposhti francezen Shirine Boukli.

E në gjysmëfinale, “Disi” e mundi izraeliten Shira Rishony për ta siguruar kështu medaljen e argjendtë.

Ajo ishte në nivel edhe në finale, ku përballë e kishte argjentinasen Paula Pareto, njëherësh kampione olimpike, për ta fituar kështu të artën.

Garat e xhudos u rikthyen sot pas tetë muajsh pauze shkaku i pandemisë COVID-19.

Ndërkohë, garuesit tjerë të Kosovës, Nora Gjakova, Flaka Loxha e Shigeki Nakamura janë eliminuar sot herët nga kjo garë.

Nesër do të garojnë Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu.

Kosova po përfaqësohet me 7 garues në Hungari.

Në këtë garë prestigjioze po marrin pjesë afro 500 garues nga rreth 70 shtete të botës.

Komento: