Po vazhdon agresioni rus kundër Ukrainës.
Trupat ruse po vazhdojnë të lëvizin ngadalë por me hapa të sigurt drejt kryeqytetit ukrainas, Kievit, derisa edhe pjesë tjera të Ukrainës po përballen me sulme të panumërta, raporton CNN, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Më shumë se 30 raketa ajrore kanë sulmuar sot bazën ushtarake në Ukrainë, ku janë raportuar 35 jetë të humbura. Trupat ruse iu afruan edhe më tepër perimetrit të kryeqytetit ukrainas, Kievit, në një përpjekje për ta pushtuar atë, teksa sulmet e trupave ruse po vazhdojnë edhe në rajone të tjera.
Raportet e Institutit për Studime të Luftës thonë se forcat ruse kanë operuar ose kanë sulmuar këto rajone (të hijezuara me të kuqe) mirëpo nuk i kanë pushtuar ato.
Kjo është një përmbledhje e situatës në Ukrainë gjatë ditës së sotme (deri më tani):
Sulmet ajrore goditën bazën ushtarake pranë Lvivit, ku të paktën 35 njerëz u vranë. Ky sulm u bë i ditur nga administrata rajonale e Lvivit. Sipas një deklarate, më shumë se 30 raketa të lëshuara nga avionë luftarakë mbi detin e Zi dhe detin Azov kishin goditur këtë bazë ushtarake.
Trupat ruse iu afruan më shumë Kievit. Pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse janë rreth 15.5 milje (25 kilometra) nga qendra e kryeqytetit ukrainas. Kështu tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në vlerësimin e saj të fundit të inteligjencës.
Sulmet ruse vazhdojnë të godasin zonat civile – Një pjesë e madhe e Makariv, një fshat 30 milje në perëndim të Kievit, ka pësuar dëme të konsiderueshme nga sulmet ajrore ruse.
Fotot e postuara në mediat sociale dhe të verifikuara nga CNN, tregojnë dëme të mëdha në komplekset e apartamenteve të banimit, shkollat dhe një objekt mjekësor.
Çernobili po funksionon me gjeneratorë. Burime nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) thanë se riparimet në sistemin elektrik të këtij termocentrali bërthamor, i dëmtuar gjatë një sulmi rus më 9 mars, po vazhdojnë.
Kjo po arrihet përmes gjeneratorëve të jashtëm me naftë. Sipas një deklarate nga Energoatom, kompani shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, zyrtarët rusë kanë shkuar në termocentralin më të madh bërthamor të Ukrainës, në Zaporizhzhya, duke kërkuar të marrin kontroll mbi këtë objekt.
Tutje, u raportua se qytetet Kharkhiv, Mariupol, Mykolaiv, Dnipro, Chernihiv dhe Sumy janë nën një sulm të vazhdueshëm rus. Në qytetin e pushtuar të Mariupolit, imazhet satelitore treguan dëme dhe zjarre në ndërtesa apartamentesh dhe pika karburanti.
Një burim i tha CNN të shtunën se qyteti është në “fazën e shkatërrimit”. Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shtoi se “disa qytete të vogla thjesht nuk ekzistojnë më… Ato thjesht janë zhdukur”.
Sa i përket evakuimeve, shtatë civilë, përfshirë gra dhe një fëmijë u vranë nga trupat ruse teksa përpiqeshin të largoheshin nga fshati Peremoga, në rajonin e Kievit. Për këtë sulm raportoi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 12,729 ukrainas u evakuuan me sukses të shtunën.