Dita Botërore të Lirisë së Shtypit – Haradinaj: Qëndrojmë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë

11:33 | 03 Maj 2024
dita-boterore-te-lirise-se-shtypit-–-haradinaj:-qendrojme-krah-medias,-ne-mbrojtje-e-respekt-ndaj-fjales-se-lire

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Kosova shënoi rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medies nga “Reporterët pa Kufij”, duke u renditur e 75-ta nga 56-ta sa ishte vjet.

Haradinaj ka thënë se mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë.

“Sunduesve i pengon liria e shprehjes, liria e mediave! Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka thënë se mbetet shqetësuese qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre.

“Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e instituicioneve kredibile ndërkombëtare. Qëndrojmë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë!”, ka shkruar kreu i AAK-së.

Komento: