Dita e Bajramit përplot me aksidente, dy të vdekur e 20 të tjerë të lënduar

21:45 | 02 Maj 2022

Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe 20 të tjerë janë lënduar nga aksidentet që kanë ndodhur në Kosovë, në ditën e Fitër Bajramit.

Detaje për këto aksidente kanë dhënë nga Policia e Kosovës.

Aksidenti me fatalitet ka ndodhur në rrugën Drenas-Skënderaj. Aty mbetën të vdekur një grua dhe një fëmijë.

Rastin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinë, Agron Borovci. Ai tha se nga ky aksident kanë mbetur edhe tre të lënduar, shkruan Reporteri.

“Nga informatat e para bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime. Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndërkaq të lënduarit janë dërguar në QKUK – Prishtinë, për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, tha Borovci.

Rreth një orë më vonë, ka ndodhur një aksident në Abri të Epërme të Drenasit. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira pesë vetura.

Sipas Borovcit, lëndime kanë marrë 10 persona, të cilët edhe kanë pranuar tretman mjekësor.

“Rreth orës 15:00 është raportuar për aksidentin e ndodhur në fshatin Abri e Epërme në vendin e quajtur Garrapole. Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë pesë automjete dhe për pasojë dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, përderisa janë shkaktuar dhe dëme materiale”, ka thënë Borovci.

Një aksident tjetër ka ndodhur rreth orës 16:00, në magjistralen Prishtinë-Gjilan, në afërsi të pendës së Liqenit të Badovcit.

Borovci ka deklaruar se në këtë aksident janë lënduar shtatë persona.

“Informacionet e para bëjnë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura, ndërkaq shtatë persona janë lënduar, të cilët janë dërguar në qendrat më të afërta mjekësore si dhe në QKUK – Prishtinë, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci.

Për rrethanat e këtyre tri aksidenteve, Policia tashmë ka nisur hetime.

Komento: