
Nën moton “Europa Jonë. Së Bashku më të Fortë”, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut do të shënojë Ditën e Evropës 2026 me një program të gjerë aktivitetesh që do të zhvillohen gjatë gjithë muajit maj, në bashkëpunim me rrjetin e Europe House dhe autoritetet lokale në qytete të ndryshme të vendit.
Shënimet fillojnë më 4 maj në Manastir me koncertin e Orkestrës Ndërkombëtare “FAMES”, ku do të interpretohen vepra të muzikës filmike në kuadër të një projekti të Creative Europe.
Më 9 maj, në Ditën e Evropës, aktivitetet do të zhvillohen në disa qytete, përfshirë Shkupin, ku Parku i Qytetit do të shndërrohet në hapësirë evropiane me aktivitete kulturore, gastronomike dhe muzikore. Në të njëjtën ditë në Koçanë do të zhvillohet një aktivitet artistik për krijimin e muraleve nga të rinjtë.
Programi vijon me aktivitete të shumta gjatë muajit maj, duke përfshirë gara humanitare në Ohër, koncerte dhe aktivitete rinore në Manastir, shfaqje filmash në Koçanë, panair librash në Tetovë, si dhe mbjellje pemësh në Veles.
Një nga aktivitetet kryesore pritet të jetë xhiroja me biçikleta rreth Liqeni i Ohrit, e planifikuar për më 16 maj, që synon promovimin e lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe bashkëpunimit ndërkufitar me Shqipërinë.
Programi përmbyllet më 23 maj në Gjevgjeli me një aktivitet rinor shumësektorial, i cili do të përfshijë forume, ekspozita dhe prezantime të ideve të reja të biznesit.
Sipas Delegacionit të BE-së, të gjitha aktivitetet janë të hapura për publikun dhe falas, me qëllim afrimin e qytetarëve me vlerat evropiane, nxitjen e pjesëmarrjes rinore dhe promovimin e bashkëpunimit kulturor e social në vend.