Qysh në fillim, flamujt e stolisur dhe atmosfera festive të krijonin ndjesinë e një ngjarjeje të madhe.
Televizioni i gazetarëve ishte gati për një maratonë që të martën e 5 nëntorit, do të mbante shikuesit të lidhur 24 orë me të gjitha zhvillimet rreth zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Eventi zyrtar i zgjedhjeve do të realizohej edhe me një bashkëpunim special me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, event ky që do merrte karakter edukativo-arsimor.
“Sot e gjithë bota e ka fokusin se kush do të jetë në krye të zyrës në Washington, në krye të Shtëpisë së Bardhë. Sot nga ana tjetër, publiku kosovar i ka sytë në një drejtim, në një adresë dhe adresa quhet televizioni i gazetarëve, Kanal 10 për arsye të një program special që do të zhvillohet me një bashkëpunim special me Ambasadën e SHBA-së”, ka paralajmëruar gazetari dhe njëherësh moderatori Kushtrim Sadiku, i cili nisi edicionin special në ambiente të hapura.
Të dekoruara me ngjyrim amerikan, zgjedZgjedhjet presidenciale të SHBA-së në Kanal 10 u përcollën edhe me supriza të veçanta.
“Sot Kanal 10 ka bërë pargatitjet maksimale edhe tash në këto momente jane vetëm nisja sepse jemi 24 orë transmetim ku ka shumë student të cilët kanë marrë pjese ku fokusi nga ambasada është tek ta duke arritur prej tyre e deri tek zyrtarët amerikanë”, është shprehur njëri nga drejtuesit e televizionit, Fidan Rama.
“Dita e Madhe Amerikane” u gjallërua me arritjen e më shumë se 400 studentëve kosovarë në objektin e televizionit Kanal 10, kur edhe filloi ceremonia zyrtare.
Të rinj me simbole të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vizituan objektin e Kanal 10 ndërsa u mirëpritën dhe u informuan për zgjedhjet amerikane nga zyrtarë të ambasadës.
“Ne jemi shumë të lumtur që ju kemi këtu në mënyrë që të flasim për demokracinë amerikane. Një falënderim i veçantë për mësuesit, drejtorët, koordinatorët që e kanë bërë të mundur që të gjithë ju të jeni këtu sot”, ka thënë Jennifer Lawson, këshilltare për çështje të marrëdhënieve me publikun në ambasadën e Amerikës, e cila u tha studentëve se do të njoftohen edhe me mënyrën e votimit dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në SHBA.
Megjithatë, të rinjve kosovarë iu bashkua edhe ambasadori amerikan, Jeffrie Hovennier, i cili në hapësirat e Kanal 10, tha se zgjedhjet janë gjithmonë një mënyrë për të festuar, ngaqë sipas tij, ato janë vepra kryesore e një demokracie.
Ambasadori amerikan e ka cilësuar si një mundësi të mirë pjesëmarrjen e ambasadës amerikane dhe qindra studentëve në Kanal 10 për të shënuar zgjedhjet në SHBA.
Ai ka shfrytëzuar rastin që në eventin e Kanal 10 t’i informojë studentët me mënyrën se si votohet dhe zgjidhet presidenti në SHBA, ndërsa ka ndarë edhe mesazhe për Kosovën. Ai ka theksuar se SHBA është krenare për atë që Kosova ka arritur në 16 vjet pavarësi, ndërsa ka thënë se të rinjtë dhe të rejat janë pasuria apo aseti më i madh i Kosovës.
“Siç e dini, unë mendoj se aseti më i madh i Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat. Ata janë aq të aftë, janë aq të përkushtuar për të parë një të ardhme të ndritur për veten dhe vendin e tyre”, ka thënë Hovenier.
Edicioni special i Kanal 10 mori ngjyrime të tjera me debatin e improvozuar të nxënësve të American School of Kosova me temën “Republikanët dhe Demokratët”, ku ata paten mundësi të shprehnin qëndrimet dhe njohuritë e tyre për kandidatët presidencial.
“Ne fokusohemi kryesisht në popullin amerikan, do të mundohemi ta përmisojmë ekonominë, ta zhvillojmë atë si dhe ta mbrojmë Amerikën nga konfliktet e jashtme”, ka thënë përfaqësuesi i republikanëve, Diell Zeka.
“Edhe ne fokusohemi që të ketë sa më shumë barazi mes njerëzve dhe që populli t’i mbaj raportet e mira me krejt shtetet e jashtme”, ka thënë përfaqësuesja e demokratëve, Enea Gallopeni.
Opinionet pro dhe kundër vazhduan në radion e Kanal 10 me Naim Sadikun dhe më pas me Arben Ahmetin, ku analistë politikë dhe gazetarë ndanë qëndrimet e tyre për situatën në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe SHBA-ve. Megjithatë, nuk munguan as thirrjet direkte nga Amerika ku u transmetuan informacionet më të fundit të garës elektorale.
E gjithë kjo maratonë televizive, iu dedikua heronjve të heshtur që kanë bërë shumë për Kosovën nga drejtori i televizionit, Arben Ahmeti, i cili postjerash u bëri thirrje të pranishmëve që të festojnë për demokracinë amerikane.
“Sot është një mundësi e jashtëzakonshme që të festojmë bashkë, të bëjmë nga një foto tek këndi zyrtar atje dhe t’i japim shumë dimension dhe shumë kuptim kësaj feste, pavarësisht rezultatit”, ka thënë Ahmeti.
Në plotëni 24 orë u përcollën me dinamikë, informacione, debate, argëtim, shoqërim, por njëkohësisht art e kulturë dhe muzikë, ku në mesin e 900 të ftuarve përveç studentëve, zyrtarëve të ambasadës, analistëve dhe gazetarëve, kishte figura të rëndësishme politike nga të gjitha partite në vend pastaj biznesmenë, juristë, të cilët përveç informacioneve, i dhanë ngjyrim tjetër kësaj ngjarjeje historike, e cila kulmoi me informacionin me të fundit nga gazetari Kushtrim Sadiku, i cili njoftoi se Donald Trump është përzgjedhur president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Gazeta10/