Reciprociteti për targat serbe, dita e nëntë: KFOR-i shton patrullimet në veri.
Prej nëntë ditësh pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po patrullojnë në afërsi të dy pikave kufitare me Serbinë.
Kjo po ndodh pasi që serbët kanë vendosur barrikada në formë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha automjetet me targa të Serbisë për të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme të Kosovës.
Nga e hëna në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kanë nisur patrullimet edhe ushtarët e KFOR-it.
Gjatë ditës së sotme në këto zona ku ka barrikada janë parë trupa të shtuara këmbësorie të forcave të KFOR-it.
Por edhe prania e helikopterëve të KFOR-it ishte më e shpeshtë nga dita e hënë.
Këtë shtim të trupave në pikët kufitare 1 dhe 31 të Kosovës KFOR-i e bëri pas kësaj deklarate të Vuçiqit.
“Ne nuk do të hyjmë me trupat tanë. Paqja është më e nevojshme. Ne presim që NATO-ja të reagojë, ne jemi duke pritur për 24 orë. Nëse vazhdon përndjekja e popullsisë, Serbia do të reagojë”, citohet t’i ketë thënë Vuçiq- Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s”.
Pavarësisht se edhe protestuesit por edhe Policia Speciale e Kosovës kanë qëndruar në pozicione të njëjta edhe dita e martë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë ishte situatë e qetë.