Dita e Punëtorëve, Hajdari: Ju themi me zë të lartë se jeni thelbi i çdo industrie

13:03 | 01 Maj 2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se punëtorët janë forca e padiskutueshme për zhvillimin e industrive.

Për Ditën e Punëtorëve, 1 Majin, Hajdari ka thënë ka kujtuar se çdo produkt që marrim, çdo shërbim që pranojmë dhe çdo teknologji që përdorim është rezultat i punës së punëtorëve të palodhur.

“Punëtorët janë forca e padiskutueshme për zhvillimin e industrive, shërbimeve dhe inovacionit në mbarë botën. Nëpërmjet punës së tyre, ata shpikin, krijojnë dhe kontribuojnë në rritjen e ekonomive tona, duke u bërë zinxhirë të zhvillimit dhe progresit shoqëror. Prandaj sot, në 1 Maj, le të kujtojmë se çdo produkt që marrim, çdo shërbim që pranojmë dhe çdo teknologji që përdorim është rezultat i punës së punëtorëve të palodhur”, ka shkruar Hajdari.

Ajo tutje ka thënë që ta pranojmë dhe vlerësojmë kontributin e punëtorëve të pafund, duke shtuar që duhet të angazhohen për të siguruar kushte të drejta pune dhe mundësi për mirëqenien e tyre.

“Le të pranojmë dhe vlerësojmë kontributin e tyre të pafund, dhe të angazhohemi për të siguruar kushte të drejta pune dhe mundësi për mirëqenien e tyre! Në këtë ditë, le të jemi solidarë me të gjithë punëtorët dhe të bashkëpunojmë për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të barabartë dhe më të begatshme për të gjithë. Festojmë përkushtimin dhe guximin e tyre dhe u themi me zë të lartë: Ju jeni thelbi i çdo industrie, ju jeni forcë e përparimit dhe ne jemi mirënjohës për punën tuaj të jashtëzakonshme!”, ka përfunduar Hajdari.

Komento: