Dita e tretë e luftimeve, 198 ukrainas raportohen të vrarë

11:05 | 26 February 2022

198 ukrainas raportohen të vrarë në ditën e tretë të luftimeve

Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës ka konfirmuar se numri të vdekurve deri më tani në pushtimin rus të Ukrainës është 198 persona, raporton Reuters.

Ndër të vdekurit raportohet janë edhe tre fëmijë. Ministri ukrainas po ashtu tha se 1,115 njerëz u plagosën, duke përfshirë 33 fëmijë.

Reuters shkruan se ishte e paqartë nëse ai i referohej vetëm viktimave civile.

Luftimet rifilluan në Sumy, në veri-lindje të Ukrainës dhe në Kiev të shtunën në mëngjes.

Forcat e mbrojtjes territoriale në Sumy janë të angazhuara me ushtrinë ruse, sipas Reuters. Shpërthime të forta janë raportuar në kryeqytetin ukrainas.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, udhëzoi Departamentin amerikan të Shtetit të lëshojë 350 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe i kërkoi Kongresit të miratojë 6.4 miliardë dollarë ndihmë për të trajtuar krizën humanitare dhe të sigurisë.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov. Bashkimi Evropian dhe Kanadaja e kanë bërë një gjë të tillë.

Komento: