Dy ditë më parë, ndodhi një ngjarje tragjike në Istog, ku pa shenja jete mbeti anëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj.
Presidenti Hashim Thaçi e ka shpallur të shtunën ditë zie, për të nderuar policin që humbi jetën në detyrë, Izet Demaj.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies heroike në mbrojtje të qytetarëve dhe në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Izet Demaj, ditën e shtunë më 29 dhjetor 2018, në shenjë nderimi shtetëror e ka shpallur ditë zie në Republikën e Kosovës.
Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e presidentit.
Agjenda e ceremonisë komemorative për policin Izet Demaj, e cila mbahet nën patronatin e Policisë së Kosovës, sot, më 29.12.2018, Istog-Koshare.
Agjenda:
Ora 11:00 – nisja e kortezhit nga fshati Vrellë e Istogut
Ora 13:30 – arritja e arkivolit në Koshare,
Ora 13:30 -14:00 – homazhe,
Ora 14:00 -14:30 – fjalimet,
Ora 14:30 – ceremonia e lamtumirës së fundit
Kujtojmë se në Istog përveç policit Izet Demaj, pa shenja jete mbeti edhe grabitësi i bankës, Kamer Metaj, i cili paraprakisht kishte qëlluar policin Demaj.