Ditët e Kulturës Shqiptare në Zvicër, përfundon Festivali i Filmit

16:54 | 28 October 2019

Në kuadër të organizimit “Ditët e Kulturës Shqiptare” në diasporë, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkë organizim me Studio “Aktrimi”, në Will të Zvicrës, mbajtën aktivitetin “Tri netë Film Fest”.

Festivali zgjati tre netë, ku u shfaqën dymbëdhjetë filma shqip të metrazhit të shkurtër nga regjisor dhe aktorë të njohur.

“Tri netë Film Fest”, u përcoll me vëmendje nga bashkatdhetarët e ku në mesin e tyre kishte publicist, poetë, aktorë dhe shumë të pranishëm tjerë të fushave të ndryshme.

Në natën e tretë pjesëmarrës në festival ishte edhe shefi i misionit konsullor i Republikës së Kosovës për Currih Sami Kastrati. Ndërsa gjatë tre netëve festivali është përcjellë nga përgjegjësja për kulturë në Konsullatën e Currihit, Shukrije Ramadani.

Pas shfaqjes së filmave në çdo mbrëmje, audienca dashamirëse e filmit e pranishme në sallë, pati mundësinë që të komentojë për trajtimin e tematikave për secilin film veç e veç.

Vlerësimi për organizimin e aktivitetit ‘’Tri netë Film Fest’’, ishte shumë pozitiv, duke përfshirë këtu edhe regjisorët dhe artistët e filmave që ishin të nivelit të lartë dhe të vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Vlen të theksohet se filmat ishin nga të gjitha trojet shqiptare, me regjisor dhe artist shqiptar.

Nata e tretë e ‘’Tri netë Film Fest’’, u përmbyllë me tingujt e bukur të muzikës argëtuese/zbavitëse shqipe në interpretim të Bexhet Sallai dhe rokerit të njohur Skender Kelmendi.

Komento: