‘Ditët e Kuvendit’ në Vushtrri, u diskutua për Llamkosin

17:04 | 06 March 2019

‘Ditët e Kuvendit’ është një aktivitet i organizuar nga Kuvendi i Kosovës me iniciativën e Forumit për Transparencë Parlamentare.

Takimi i parë u mbajtë në Vushtrri, ku qytetarët treguan interesime të ndryshme, si për çështje të nivelit lokal ashtu edhe të atij qendror.

Vushtrriasve iu drejtuan deputetet Shqipe Pantina, Albulena Haxhiu, Xhevahire Izmaku dhe Hykmete Bajrami.

“Llogaridhënia është sfidë edhe për ne deputetët. E kemi shembull rastin e shpenzimeve për shënimin e përvjetorit të pavarësisë, ku është thënë se janë shpenzuar 500 mijë euro dhe ne ende nuk e kemi parë dokumentin zyrtar për këto shpenzime”.

“Nuk e kemi besuar që 20 vjet pas luftës e kemi një president qe s’e njeh integritetin e shtetit të vet dhe është në gjendje me vendos territorin e vet në diskutim. Ndërsa e kemi një qeveri me plotë skandale”.

“Fabrikat janë privatizuar fatkeqësisht e ky është dëmi më i madh ekonomik që i është bërë vendit, njësoj siç po ndodh edhe me Llamkosin. Tash ne do tentojmë ta ndalim edhe Telekomin, nuk ka privatizim dhe pikë”, u shpreh mes tjerash Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në lidhje me “Llamkos”-in foli edhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, e cila deklaroi se si deputetë nuk kanë fuqi të bëjnë asgjë proceduralisht dhe se e gjitha çka mund të bëjnë është të jenë afër qytetarëve kur ata të shkojnë në gjykatë për t’i dorëzuar lëndët dhe t’i përkrahin më këshilla.

Për temën e privatizimit u deklarua edhe Shqipe Pantina e PSD-së, e cila u shpreh: “Po provojmë të bëjmë ligje të mira që janë mirë të kuptueshme. Privatizimi është bërë në mënyrën më të keqe të mundshme, e njëjtë po ndodh edhe me Llamkosin”.

Gjatë këtij takimi, për qytetarët e Vushtrrisë pati një këshillë Hykmete Bajrami e LDK-së, e cila i porositi të mos i japin vota njerëzve që sipas saj janë pasuruar me paratë e shtetit.

“Tek ne historikisht votat janë blerë me paratë publike, duke rritur pagat. Ne si LDK e respektojmë institucionin, por nëse shohim se presidenti ose kryeministri nuk e respektojnë kushtetutën, ne do të reagojmë në mënyrën tonë”, u shpreh ajo, transmeton Klan Kosova.

Komento: