Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka mirëpritur në parti të birin e Jakup Krasniqit, Altinin, i cili do të jetë edhe kandidat për deputet në listën e PDK-së.
Kryetari Krasniqi është shprehur i lumtur që PDK-së po i bashkohet një zë i ri, por që është i rrënjosur thellë në trashëgiminë e shërbimit, sakrificës dhe përkushtimit të palëkundur ndaj vendit.
Sipas Krasniqit, Altini nuk është thjesht djali i një personaliteti të jashtëzakonshëm si Jakup Krasniqi, përkushtimi i të cilit për Kosovën mbeti i palëkundur si në luftë, ashtu edhe në paqe.
“Altini përfaqëson premtimin e një gjenerate të re, të gatshme për të çuar përpara vlerat tona të përbashkëta. Me energjinë, vizionin dhe përkushtimin e tij, Altini po i hyn politikës për të nderuar trashëgiminë e babait të tij dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar dhe më të mirë. Altin, mirë se erdhe në PDK. Me ty si deputet, Kosova mundet ma mirë!”, ka thënë kreu i PDK-së.
Ndërkaq, Altin Krasniqi është shprehur se duke qenë djali i një personaliteti si Jakup Krasniqi që ia kushtoi jetën e tij lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ka vendosur të marrë përgjegjësi për të punuar për të ardhmen e Kosovës.
“I frymëzuar nga trashëgimia e babit, kam vendosur edhe unë të bëj hapin tim dhe t’i bashkohem Partisë Demokratike të Kosovës si kandidat për deputet. Ka ardhur koha që gjenerata jonë të marrë përgjegjësi, që duke nderuar sakrificat e së kaluarës, të punojmë shumë për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë, pa dallim. Unë besoj se Kosova ka më shumë potencial sesa kaq dhe padyshim që mundet ma mirë. Unë jam Altin Krasniqi dhe jam gati të shërbej, ashtu siç ka bërë babai gjithmonë: me nder dhe përgjegjësi!”, ka thënë ai.