
I biri i Isa Mustafës ka treguar se si është gjendja e babait të tij.
Djali i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës – Besnik Mustafa, ka publikuar fotografi me të atin ku shihet se është përmirësuar gjendja shëndetësore e këtij të fundit.
Isa Mustafa kishte njoftuar me datën 10 korrik se ka dalë pozitiv në testin ndaj koronavirusit.
“Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim do të jem i izoluar”, tha Mustafa.

Besnik Mustafa, djali i Isa Mustafës në një bisedë për Zeri.info, dje ka treguar se gjendja shëndetësore e babait të tij është e mirë dhe stabile.
“Gjendja e tij është shumë e mirë për momentin, po vazhdon të trajtohet dhe nuk po besojmë që ka rrezik më tutje, po përdor terapi si çdo rast tjetër i infektuar. Po rëndësia më e madhe është besimi në vete dhe karakteri i tij”, ka thënë Mustafa.
Mustafa më tej ka treguar se e gjithë familja po kujdeset për të, ndërsa askush tjetër prej anëtarëve të familjes nuk është infektuar nga ky virus.
“Të gjithë po kujdesemi për të dhe po i qëndrojmë afër për çdo gjë, por nuk jemi infektuar” , ka shtuar Mustafa, duke thënë se më rëndësi për personat e infektuar është trajtimi psikologjik dhe të mos braktisen në momentin kur ata infektohen.