Djali i Xhavit Halitit shpërndan një foto të Gent Cakajt, pasi u shpallën zgjedhjet në PDK

22:53 | 21 Qershor 2021

Pasi u shpallën zgjedhjet në PDK, djali i Xhavit Halitit shpërndan një foto të Gent Cakajt

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021, ditë e shtunë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë PDK’ja nëpërmjet një komunikate në medie, duke njoftuar se kanë filluar përgatitjet për organizimin e Konventës për zgjedhje të brendshme.

Emra të shumtë janë përfolur si kandidatë potencial, ndërkohë që njëri prej tyre është edhe Gent Cakaj, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Këtij vendimi i ka paraprirë një debat i gjatë në të gjitha nivelet e partisë që ka filluar pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, shkruan Gazeta Express.

“Kryesia ka udhëzuar organet e partisë për fillimin e menjëhershëm të përgatitjeve për organizimin e Konventës zgjedhore të partisë”, thuhet në njoftim.

Djali i njërit prej anëtarëve të Kryesisë së PDK-së ka shpërndarë foton e tij në rrjetin social Facebook pak orë pasi u bë i ditur lajmi për zgjedhje të brendshme.

Granit Haliti, djali i deputetit Xhavit Haliti, ka shpërndarë foton e Cakajt.

Po ashtu, Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka qenë në mesin e emrave më të përfolur për t’u vendosur në krye të PDK’së, subjekt politik ky që shpalli zgjedhjet e brendshme më 3 korrik, ndonëse nuk u bë publik asnjë kandidat.

Për Çitakun është përfolur në medie lidhur me kandidaturën e saj si kryetare e PDK’së, megjithatë deri më tani nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin ‘Pressing’ në T7 përgjatë mbrëmjes së hënës nuk e përjashtoi si mundësi kandidimin e saj në udhëheqësinë e PDK’së.

Çitaku, megjithatë, shkëndijoi idenë se mund t’i bashkëngjitet garës. Pas zyrtarizimit të zgjedhjeve të brendshme nga PDK’ja, përfaqësuesja diplomatike e Kosovës në SHBA ishte e para që përshëndeti vendimin e PDK’së, duke thënë se në demokraci roli i opozitës është vital.

Ndryshe, PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit pas dhënies së dorëheqjes të ish kryetarit Kadri Veseli.

Komento: