
Pati të shtëna me armë zjarri dje në Kaçanik ka raportuar sot Policia e Kosovës.
Policia tha se rreth orës 23:25, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar një informatë se në lagjen “Saniteks” në Kaçanik ka pasur të shtëna me armë zjarri.
“Menjëherë, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë patrullimit, në rrugën “Ismail Raka”, kanë ndaluar një veturë me targa vendore, e cila drejtohej nga personi me inicialet L.M ( 26 vjeç)”.
Gjatë verifikimit dhe kontrollit të personit dhe automjetit, në brezin e të dyshuarit është gjetur një armë zjarri (pistoletë) me 5 fishekë, si dhe 2 gëzhoja në xhepin e pantallonave, shtoi policia.
Po ashtu, në veturë është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë).
“Arma, fishekët, gëzhojat dhe thika janë konfiskuar nga ana e policisë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku është intervistuar nga njësiti i hetimeve. Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.