Djegia e pyetjeve dhe arave po shkatërrojnë gjithçka

22:00 | 31 March 2019

Kërkohen masa kundër djegies së pyjeve dhe arave, po shkatërrojnë gjithçka

Let’s Do It përmes këtij reagimi shpreh shqetësimin për djegien e vazhdueshme të pyjeve, arave dhe hapësira të tjera në qytete të ndryshme të Kosovës.

Sipas të dhënave të Policisë dhe raportimeve të mediave, ditëve të fundit këto raste kanë qenë aq të shpeshta, saqë janë shndërruar në alarmante.

“Let’s Do It ju bën thirrje të gjithë qytetarëve që menjëherë të ndalin këtë fenomen të rrezikshëm, për shkak të pasojave të shumta që i shkakton. Kur ndizni zjarret, ju nuk digjni vetëm pyje, ara e hapësira të tjera, por edhe gjallesa të shumta që jetojnë në ato zona. Trishtuese kanë qenë fotografitë që kanë qarkulluar nëpër rrjete sociale të gjallesave të djegura, si pasoja e zjarreve të shkaktuara qëllimisht nga njeriu”, thuhet në reagimin për media nga Let’s Do It.

Disa nga fotografitë që kanë qarkulluar në rrjetet sociale mund t’i shikoni në galerinë e mëposhtme, por paraprakisht ju njoftojmë se pamjet janë shqetësuese.

Let’s Do It në reagimin e vet kërkon nga secili qytetar që djegien e pyjeve, arave apo hapësirave të tjera, asnjëherë mos ta shqyrtojnë si opsion, pavarësisht arsyeve.

“Por, edhe në rast se digjni pronat e tuaja private, në asnjë mënyrë mos e bëni atë, pa u siguruar paraprakisht që zjarrin mund ta mbani të lokalizuar brenda pronave tuaja, e mos ta lejoni që nga kjo të pësojnë edhe hapësirat e shumta publike, të cilat mund të shfrytëzohen nga të gjithë. Por, edhe në raste të tilla, mendoni për gjallesat e shumta që gjenden në ato hapësira”, thuhet në reagim.

“Po ashtu, ju bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa për parandalimin e menjëhershëm të kësaj dukurie negative dhe në asnjë mënyrë të mos arsyetohen vetëm me shuarjen e zjarrit si zgjidhje për këtë situatë alarmante”.

Ndezja e zjarrit dhe djegia e qëllimshme e pyjeve, arave dhe hapësirave të tjera, sipas kësaj organizate, rrezikon qytetarët dhe shëndetin e tyre, pasi tymi është jashtëzakonisht i dëmshëm.

“Po ashtu, djegia dhe prerja e pyjeve shkaktojnë erozion si dhe i kontribuojnë problematikës së ngrohjes globale. Andaj, assesi mos u bëni shkaktar të ndotjes dhe dëmtimit të natyrës”, thuhet më tej aty.

Nga ana tjetër, Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se gjendja me zjarret në Kosovë, po del jashtë kontrollit.

“Zjarre të shumta kanë kapluar mbarë Kosovën, po digjen fusha e male, thuajse nuk ka rajon që nuk është përfshirë nga këto zjarre, të shumtat të shkaktuara qëllimisht apo nga pakujdesia. Po shkatërrohen hektarë të tërë të sipërfaqeve malore dhe fushave, po rrezikohen pronat private e publike, po rrezikohet jeta e zjarrfikësve të cilët me javë dhe muaj po luftojnë me këto zjarre, po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve të vendit”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se ka disa javë që kemi paralajmëruar që gjendja me zjarret në Kosovë po del jashtë kontrollit.

“A duhet të presim që të ndizet e tërë Kosova, apo ndoshta edhe të kemi ndonjë viktimë nga këto zjarre, dhe tek atëherë organet kompetente shtetërore të marrin masa për shpalljen e gjendjes emergjente? Apo ndoshta duhet të shpresojmë dhe të lutemi që sa më shpejtë të kemi të reshura të shiut, në mënyrë që të zbutet situata me këto zjarre”, ka thënë ai.

Komento: