
Një veturë është djegur në orët e para të së martës në Leposaviq, e cila ishte e nënkryetares së komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq.
Rrahman Sylejmani kolonel në pension i Policisë së Kosovës ka thënë se këto akte Serbia po i bën me qëllim frikësimin e qytetarëve.
“Skenari i tyre asnjëherë nuk ka përfunduar, në këtë moment që po flasim për kohët e fundit. Mendojnë se si zakonisht të manipulojnë me votat e tyre, e dinë mirë se Listës Serbe i ka ra autoriteti dhe nuk ka ndikim si më herët, një akt i tillë lidhet edhe me zgjedhjet që tashmë Serbia i ka shpallur”, ka thënë Sylejmani.
Ai në emisionin “FIVE” ka thënë se ky akt i djegies së veturës është në vazhdën e incidentit të 24 shtatorit që të mos ketë qetësi në atë pjesë.
“Në vazhdën e incidenteve që ka ndodhë më 24 shtator, ka qenë një qetësi relative, por tash që kemi regjistrim të madh të veturave, Serbisë i pengon integrimi i qytetarëve”, ka vijuar ai.
Tutje, Sylejmani ka thënë se policia e Kosovës duhet të vazhdojë aktivitetin e saj në dëmtim të këtyre grupeve që organizojnë akte të tilla.
“Pas aktivitetit të 24 shtatorit, policia e Kosovës duhet ta shtojë aktivitetin e saj në dëmtim të këtyre grupeve. Ti qesë para drejtësisë, të mos mbeten anonim” ka theksuar ai.