“Djemtë rrahën nënën”, “bashkëshorti sulmon fizikisht gruan”, rastet e dhunës në familje për 24 orë

09:25 | 29 August 2021

Vetëm pak ditë më parë Kosova është shokuar nga ngjarja e ndodhur në Ferizaj ku si pasojë e dhunës psikike dhe fizike ka ndërruar jetë Marigona O. Vetëm 18 vjeç. I dyshuari kryesor për vrasjen e saj është, Dardan Krivaqa, me të cilin kishte jetuar një kohë. Kjo ngjarje ka vënë në alarm shoqërinë për shkak të numrit të lartë të rasteve të dhunës në familje ku cak janë gratë.

Ndërkohë situata vazhdon të mbetet shqetësuese. Vetëm brenda 24 orëve të fundit në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës në familje ku viktima janë gratë.

Njëri nga katër rastet e dhunës në familje brenda 24 orëve në vendin tonë ka ndodhur në Prizren, ku viktima ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me dy djemtë e saj, ata e kanë sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor e që pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë mbajtur për 6 orë në stacion policor e pastaj janë liruar në procedurë të rregullt.

“Prizren, 28.08.2021-19:37. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me dy djemtë e saj, ata e kanë sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion të policisë, janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar mbahen për gjashtë (6) orë në stacion policor dhe pastaj lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.

Policia ka njoftuar edhe për një rast tjetër të dhunës në familje në Prizren, të enjten pasdite viktima grua kishte raportuar bashkëshortin e tij pasi e kishte sulmuar fizikisht atë, në raportin e policisë së Kosovës është bërë e ditur se gjatë ditës së djeshme është arrestuar i dyshuari. E që i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Prizren, 26.08.2021 – 18:00. Është arrestuar me 28.08.2021 i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se me datën e cekur kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Ndërsa në Prishtinë, i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike dhe kishte kanosur bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë 27.08.2021 – 23:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike dhe kishte kanosur bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Në Gjakovë, burri dyshohet se ka keqtrajtuar gruan e tij, e cila më pas është strehuar me fëmijën e saj 11 muajsh. I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Gjakovë, 28.08.2021-18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti e kishte keqtrajtuar viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është strehuar në shtëpi të sigurt bashkë me fëmijën e saj të moshës njëmbëdhjetë (11) muajsh. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, te dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në raport.

Komento: