DnV thotë se qytetarët po kanë vështirësi në gjetjen e vendvotimeve

12:51 | 06 October 2019

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, po vazhdon të vëzhgojë procesin e votimit që nga hapja e vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen sot në tërë vendin, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

I. Dalja në votim

Deri në orën 09:30, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 102 mijë qytetarë, përkatësisht 6% e qytetarëve me të drejtë vote. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,937,869 qytetarë (111,733 votues më shumë nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017).

II. Parregullsitë më evidente gjatë procesit të votimit

Në bazë të raportimeve të vëzhguesve në terren, në përgjithësi procesi zgjedhor është duke u zhvilluar i qetë por nuk kanë munguar edhe parregullsitë në procesin e votimit. Këto parregullsi kanë qenë evidente edhe gjatë rundeve të kaluara zgjedhore të vitit 2017.

Vështirësitë e votuesve me gjetjen e vendvotimit

Votuesit po hasin në vështirësi për ta gjetur vendvotimin e duhur për të votuar. Deri në ora 09:30, janë evidentuar 3695 raste kur votuesit kanë pasur vështirësi të gjejnë vendvotimin e tyre në afër 1000 (një mijë) vendvotime.

Ofrimi i asistencës

Asistenca gjatë votimit është një ndihmë e cila mund t’i ofrohet votuesit, nën rrethana të veçanta në mënyrë që çdo votues të ketë mundësinë e ushtrimit të së drejtës së tij/saj juridike për të votuar. Rregulla zgjedhore përcakton se asistenca në votim nuk mund të ofrohet më shumë se një herë, nga i njëjti qytetar ndërsa anëtarëve të KVV-vë apo vëzhguesve të akredituar u ndalohet rreptësisht të ofrojnë asistencë në votim.

Në të kaluarën asistenca është keqpërdorur për të imponuar apo deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve duke ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar.

Deri më 09:30 janë raportuar:

a) Votues me asistencë në 5283 raste, në 1809 vendvotime.

Në vendvotimin 0608C/01R, Shkolla “Ndre Mjeda” në Istog, anëtarët e vendvotimit është lejuar që personat e moshuar të cilët nuk dinë shkrim lexim të mos nënshkruajnë e as të mos vënë gisht tek lista e votuesve. Tek pjesa e nënshkrimit tek Lista e Votuesve po mbeten të pa plotësuara.

b) 46 raste kur një person ka ofruar asistencë më shumë se një herë (e regjistruar në 32 vendvotime).

Vetëm në vendvotimin 1704C/04R, Shkolla e mesme teknike “Shaban Spahija” në Pejë janë evidentuar 6 raste.

c) 47 raste kur anëtarët e KVV-ve kanë asistuar votuesit për të votuar (në 37 vendvotime).

Me këtë parregullsi, prijnë komunat e Prishtinës (12 raste) dhe Mamushës 6 raste, 5 prej të cilave në vendvotimin 3201A/03R, Shkolla fillore “Anadolu”.

DnV i bën thirrje kryesuesve të KVV-ve që të sigurojnë që votimi me asistencë të bëhet konform rregullave zgjedhore.

Cenimi i fshehtësisë së votës

Fshehtësia e votës është thelbësore në sigurimin e integritetit zgjedhor, sepse i mundëson votuesit të votojë me pavarësi të plotë. Nëse kjo fshehtësi cenohet, atëherë votuesi mund të frikësohet dhe të shtrembërojë vullnetin e tij.

Cenimi i fshehtësisë së votës është një problem që ka shoqëruar vazhdimisht procesin zgjedhor në Kosovë dhe është manifestuar përmes fotografimit të votës, qëndrimit të dy e më shumë personave prapa kabinës së votimit apo përmes bërjes publike të votës nga vetë votuesi. Këto dukuri që supozohet që ka të bëjë me blerjen e votës, si një dëshmi e votuesit për votën e dhënë për një subjekt politik të caktuar.

Deri në orën 09:30:

a) Fotografimi i votës është evidentuar në 29 raste, në 23 vendvotime. Prijnë komunat: Prishtinë (5 raste), Pejë (4 raste), Rahovec (4 raste) dhe Lipjani (3 raste).

b) Bërja publike e fletëvotimit është raportuar në 21 raste, në 20 vendvotime.

c) Qëndrimi i më shumë se një personi prapa kabinës së votimit është evidentuar në 57 raste në 37 vendvotime, dhe këtu nuk bëhet fjalë për votim me asistencë.

DnV ua rikujton qytetarëve që Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënon çfarëdo cenimi të fshehtësisë së votës me burgim deri në në gjashtë (6) muaj. Kurse kushdo që kërkon nga votuesi ta bëj të ditur votën e hedhur, me anë të përdorimit të forcës, kanosjes serioze, apo çfarëdo forme tjetër të kundërligjshme, dënohet me burgim deri në një (1) vit.

Keqpërdorimi i të drejtës së votimit:

Tentativat për të cenuar zhvillimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor duke synuar manipulimin e procesit të votimit, me anë të votimit të shumëfishtë, po evidentohen nga vëzhguesit në terren.

Deri në orën 09:30:

a)Në shkollën fillore “Miladin Mitiq”, në vendvotimin 3402E/03D, një person ka dëmtuar fletëvotimin dhe më pas e ka futur në kuti të votimit. Komisionerët ia kanë dhënë një fletëvotim tjetër, të cilin përsëri e ka futur në kuti të votimit.

Parregullsi të tjera:

Në vendvotimin 3805B/12D, në shkollën “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, vëzhguesi në vendvotim ka vërejtur dy qytetarë të votojnë me ID të Serbisë dhe menjëherë është njoftuar KQZ-ja dhe policia. Më pas në këtë vendvotim kanë arritur Policia dhe i kanë shoqëruar në Prokurori kryesuesin dhe zëvendës kryesuesin. Votimi në këtë vendvotim nuk është ndërprerë.

DnV u bën thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe përmes pjesëmarrjes së tyre të bëhen pjesë e vendimeve për vendin.

DnV kërkon nga të gjitha subjektet politike të përmbahen nga çdo veprim që mund të cënojë integritetin e procesit zgjedhor.

DnV pret që institucionet e vendit të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të garantuar një atmosferë të qetë dhe zgjedhje demokratike dhe të lira.

Komento: