‘Do ta dëshiroja’ – Araujo pranon se rikthimi i Messit te Barca do të ishte shumë i veçantë

21:27 | 13 February 2023

Mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo, ka pranuar se do ta dëshironte kthimin e Lionel Messit në Camp Nou gjatë verës.

Kontrata e superyllit argjentinas me Paris Saint-Germainin është valide deri në fund të muajit qershor, ndërsa ka pasur shumë pak përparim në lidhje me rinovimin.

Dhe sa herë që përmendet e ardhmja e Messit, rikthimi te Blaugranët është gjithmonë opsion i spekuluar.

Araujo – i cili ka luajtur dy sezone me kampionin e botës te katalunasit – nuk i ka fshehur emocionet e tij kur është pyetur në lidhje me rikthimin potencial të 35-vjeçarit.

“Rikthimi i Messit? Do të shohim, por do ta dëshiroja. Rikthimi i Leos do të ishte shumë i veçantë. Ai është futbollisti më i mirë në botë dhe ne do të ishim të lumtur nëse mund të kthehet”.

“Po të isha Mateu Alemany (drejtori sportiv i Barcës), do të nënshkruaja me Rodrigo Bentancur dhe Leo Messi”, ka thënë 23-vjeçari për Jijantes FC të Gerard Romeros.

Komento: