
Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të vendosë një tarifë 100% mbi të gjitha mallrat kanadeze, nëse kryeministri i vendit arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.
“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të goditet menjëherë me një tarifë 100% ndaj të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA,” shkroi Trump të shtunën në platformën e tij të rrjeteve sociale, Truth Social, raporton BBC.
Tensionet mes Trump dhe kryeministrit kanadez Mark Carney janë përshkallëzuar ditët e fundit, pasi Carney mbajti një fjalim në Davos të Zvicrës, ku u shpreh kundër fuqive të mëdha botërore.
Ai u takua së fundmi me presidentin kinez Xi Jinping dhe njoftoi se vendet e tyre kishin arritur një marrëveshje tregtare që përfshinte automjetet elektrike.
Në atë kohë, Trump e përshëndeti marrëveshjen e mundshme si “një gjë të mirë”.
Nuk është e qartë nëse ajo marrëveshje ka hyrë në fuqi, apo nëse Trump i referohej asaj konkretisht. BBC ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë, zyrën e Carney-t dhe ministrin kanadez përgjegjës për tregtinë SHBA–Kanada për koment.
Në postimin e tij të së shtunës, Trump iu referua kryeministrit si “Guvernatori Carney” dhe shkroi se nëse ai “mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘port shkarkimi’ për Kinën që të dërgojë mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, ai gabon rëndë”.
Trump nuk dha një afat kohor apo më shumë informacion mbi tarifën e kërcënuar. Vitin e kaluar, kur kërcënoi për herë të parë me tarifa të reja ndaj fqinjit verior të SHBA-së, Trump filloi ta quante Kanadanë “shtetin e 51-të” të SHBA-së, me Carney-n si “guvernator”, dhe sugjeroi se mund të përpiqej ta merrte plotësisht vendin.
Ndërsa marrëdhëniet mes vendeve ishin përmirësuar muajt e fundit, përpjekja e Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës dhe komentet e tij për NATO-n e kanë vënë atë në kundërshtim me udhëheqësit kanadezë dhe evropianë. Carney nuk e përmendi presidentin me emër në fjalimin e tij këtë javë në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, por paralajmëroi për një “çarje” në rendin botëror të udhëhequr nga SHBA-ja, gjë që duket se e zemëroi Trump-in.
“Kanadaja jeton falë Shteteve të Bashkuara,” tha Trump në fjalimin e tij, që pasoi atë të Carney-t.
Të premten, Trump tërhoqi gjithashtu ftesën e Kanadasë për t’iu bashkuar Bordit të sapokrijuar të Paqes, i cili po prezantohet nga SHBA-ja si një organizatë e re ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve.
Në të njëjtën kohë, ai sulmoi Kanadanë në një postim në rrjetet sociale për faktin se ishte “kundër ndërtimit të Kupolës së Artë mbi Groenlandën”, duke iu referuar mburojës antiraketë që ai ka planifikuar, dhe për “bërjen e biznesit me Kinën”.
Duke folur për marrëveshjen me Kinën më herët këtë muaj – sipas së cilës Kanadaja do të lehtësonte tarifat mbi automjetet elektrike kineze dhe Kina do të ulte taksat mbi produktet bujqësore kanadeze – Carney u tha gazetarëve se “bota ka ndryshuar” dhe se progresi me Kinën e pozicionon Kanadanë “mirë për rendin e ri botëror”.
Ai shtoi se marrëdhënia e Kanadasë me Kinën është bërë “më e parashikueshme” sesa marrëdhënia me SHBA-në nën administratën Trump.
Ekspertët i thanë BBC-së se politika e Kanadasë ndaj Kinës ka pësuar një ndryshim të rëndësishëm, i formësuar nga pasiguria e vazhdueshme me SHBA-në, partnerin e saj më të madh tregtar.
Kur u rikthye në detyrë vitin e kaluar, Trump vendosi tarifa të reja mbi mallrat nga Kanadaja, përfshirë një taksë 35% mbi të gjitha artikujt që nuk përfshihen në një marrëveshje tregtie të lirë mes dy vendeve, e cila aktualisht është në rishikim të detyrueshëm.
Carney reagoi të enjten ndaj Trump, duke thënë se Kanadaja dhe SHBA-ja “kanë ndërtuar një partneritet të jashtëzakonshëm” gjatë shumë dekadave.
“Por Kanadaja nuk jeton falë Shteteve të Bashkuara,” tha ai. “Kanadaja lulëzon sepse ne jemi kanadezë.”