“Do t’i kërkojmë KFOR-it sqarime, pse po patrullon bashkë me Policinë e Kosovës”

16:01 | 15 Gusht 2020

Situata në Karaqevë ka qenë teme diskutimi ditëve të fundit në Kosovë.

Ditë më parë forca të ushtrisë serbe ishin parë thellë brenda territorit të Kosovës pasi kishin kaluar kufirin në Karaqevë. Një veprim i tillë kishte nxitur reagime të shumta dhe shqetësime të banorëve atje.

KFOR-i edhe pse fillimisht kishte thënë se ishin patrullime të përbashkëta në zonën kufitare, menjëherë pas pak ditësh ka filluar takime me krerët e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe tashmë është vendosur që atje të patrullojnë bashkë me Policinë e Kosovës.

Për një gjë të tillë ka reaguar ministri i mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin, i cili thotë se do t’i shkruajnë zyrtarisht KFOR-it për t’i kërkuar shpjegime rreth patrullimeve të përbashkëta me Policinë e Kosovës.

“Ne s’kemi asgjë kundër forcave të KFOR-it, problemi është që ata po e favorizojnë Prishtinën”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, është e papranueshme që Policia e Kosovës të patrullojë në atë pjesë dhe se për një gjë të tillë do të kërkojnë të zbatohet rezoluta 1244.

Komento: