Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Milorad Dodik ka thënë se Hashim Thaçi nuk është ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Banja Llukë, por si përfaqësues i Prishtinës.
Dodik, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se formatin e përfaqësimit të Prishtinës me fusnotë e kanë pranuar vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, siç janë Serbia, Rumania, Greqia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Nëse do të vijë si përfaqësues i Prishtinës dhe me fusnotë le të vijë, dhe në qoftë se kjo nuk paraqet problem për të, pse duhet të jetë problem për neve. Të gjithë të tjerët janë ftuar si kryetarë shtetesh”, u ka thënë Dodik gazetarëve në Banja Llukë dhe përsëriti se nuk do ta njohin Kosovën, përcjell Telegrafi.
“Qëndrimin tim lidhur me Thaçin e kam bërë të qartë kur kam thënë se Republika e Serbe nuk ka ambicie dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe se Thaçi duhet ta kuptojë se Kosova është pjesë e Serbisë. Kosova mbetet e panjohur, dhe nëse Thaçi pajtohet të vijë në SEECP në mënyrën siç është parashikuar, e kjo është me fusnotë, atëherë le ta bëjë këtë”, tha Dodik.
Samiti do të fillojë më 1 korrik 2019, ndërsa janë planifikuar takime të ministrave dhe presidentëve të vendeve të Evropës Jugore në Jahorinë dhe në zyrën e Presidencës së BeH.