Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i ka çuar një ftesë zyrtare presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Lajmin e ka bërë të ditur portali i lajmeve nga Bosnja dhe Hercegovina, Klix.ba.
I njëjti ka pohuar se Thaçi do të vendosë javën e ardhshme nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Dodikut. Presidenti i Kosovës kishte refuzuar të merrte pjesë në konferencën e përvitshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Sarajevë, muajin e kaluar, për shkak se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur e sovran.
Samiti do të nisë më 1 korrik, dhe raportohet se është planifikuar që ministrat dhe presidentët e vendeve të Evropës Juglindore të takohen në malin e Jahorinës dhe në ndërtesën e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Siç ka mësuar Klix.ba, presidentët e vendeve të rajonit do të priten me një qilim të kuq, para ndërtesës së Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ku do të jenë të vendosura Forcat e Armatosura të vendit. Dodik ia ka çuar ftesën Thaçit nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka raportuar ky portal.
Përveç presidentëve të vendeve të rajonit, Dodik i ka ftuar edhe ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve.